Aplikacion
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen që lidhet me procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke dërguar për gjykim 12 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, të pandehurit akuzohen për një sërë veprash penale, mes të cilave shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh dhe bashkëpunim në procedura të dyshuara si të manipuluara në favor të operatorëve ekonomikë të caktuar.
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të administratës vendore.
Një nga episodet kryesore të hetimit lidhet me procedurën për ndërtimin e segmentit rrugor Korçë–Ersekë, Loti 2, me një fond limit prej rreth 2.88 miliardë lekësh.
Sipas SPAK, dokumentacioni që u paraqit si projekt i Bashkisë Kolonjë rezultoi problematik, ndërsa hetimet kanë ngritur dyshime se procesverbale dhe dokumente të caktuara janë falsifikuar për të krijuar përshtypjen e ekzistencës së një projekti teknik që në fakt nuk ishte hartuar nga bashkia.
Prokuroria pretendon se përllogaritja e fondit limit është kryer në kundërshtim me procedurat ligjore dhe se vlera e kontratës është fryrë artificialisht. Sipas ekspertizave të administruara gjatë hetimit, dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit të shtetit vlerësohet në rreth 590 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar gjithashtu shkelje në tenderin për mbikëqyrjen e punimeve të rrugës Korçë–Ersekë. Sipas SPAK, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë krijuar avantazhe të padrejta për një kompani private, duke cenuar konkurrencën dhe barazinë mes operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.
Një tjetër procedurë e përfshirë në dosje është ajo për mbikëqyrjen e punimeve të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave përreth.
Sipas akuzës, fondi limit dhe specifikimet teknike janë hartuar mbi baza jo reale dhe me dokumentacion të përgatitur nga vetë subjekti që më pas rezultoi fitues i tenderit. Hetuesit pretendojnë se kriteret e tenderit janë përshtatur në mënyrë të tillë që të favorizonin një operator të caktuar ekonomik./ Zoom.al