zoom

Lajme

Sot vendoset finalisti i dytë i Kupës së Botës

Sot vendoset finalisti i dytë i Kupës së Botës

Anglia dhe Argjentina, kampione në fuqi, do të përballen në Atlanta në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, në një duel klasik që do të përcaktojë finalistin e dytë të turneut. Anglia ka hasur vështirësi gjatë këtij Botërori, por ka treguar karakter në fazën me eliminim direkt.

Në çerekfinale, skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel përmbysi Norvegjinë 2 – 1 pas kohës shtesë, duke siguruar gjysmëfinalen e katërt në një turne madhor që nga viti 2018.

Tre Luanët synojnë finalen e parë të Botërorit që nga triumfi historik i vitit 1966.

Nga ana tjetër, Argjentina, kampione në fuqi, ka fituar të gjashta ndeshjet në këtë Botëror dhe vjen pas suksesit 3 – 1 ndaj Zvicrës në çerekfinale. Skuadra e Lionel Scalonit ka edhe sulmin më të mirë të turneut me 17 gola dhe synon të arrijë një tjetër finale dhe ndoshta një tjetër trofe.

“Jemi të lumtur, të emocionuar dhe të motivuar për t’u dhënë njerëzve tanë kënaqësinë që të shohin kombëtaren e tyre duke dhënë gjithçka në fushë. Natyrisht përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë që do të na vështirësojë punën dhe që gjithashtu do të synojë të arrijë në finale”, tha Scaloni.

“Është shumë e veçantë të luash kundër kampionëve në fuqi. Është shumë e veçantë të luash kundër Leo Messi dhe ekipit të tij. Është e veçantë të përfaqësosh Anglinë kundër Argjentinës. Është thjesht një ndeshje e madhe në një turne të madh”, tha Tuchel.

Anglia ka fituar 6 nga 14 përballjet me Argjentinën, ndërsa dy sfidat e fundit në Kupën e Botës janë fituar nga amerikanojugorët. 

Postime të lidhura