Aplikacion
Artur Balla dhe Bledar Lilo akuzohen si të përfshirë në skemën e pastrimit të rreth 18.4 milionë eurove për llogari të organizatës mafioze italiane, “Cosa Nostra”.
Skema në fjalë u zbulua nga SPAK pas hetimeve disamujore. Paratë ishin depozituar në një llogari bankare të hapur pranë një filiali të “Alpha Bank” në Tiranë, nga ku duhej më pas të transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit.
Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo-s me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi, sipas SPAK, do të fitonte 3 milionë euro nga ky transaksion, ose thënë ndryshe 16% të shumës
Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino-s dhe ishin pjesë e pasurisë 150 milion euro te Francesco Zummo-s, konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra-s.
90- vjeçari nga Palermo, Francesco Zummo, nuk ishte i panjohur për drejtësinë pasi edhe në të kaluarën ishte dyshuar për implikime në skemën e pastrimit të parave për llogari të organizatës mafioze “Cosa Nostra”.
Në vitin 2001 atij iu sekuestrua një pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.
Ai njihej edhe si mik i afërt i ishkryebashkiakut Vito Ciancimino. Po ashtu, në pranga ra edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, i cili është vëllai i një magjistrati në Palermo.
18 milionë eurot e bllokuara në Tiranë ai dyshohet se do t’i transferonte për të shmangur konfiskimin e tyre.
Rezart Taçi është ende në kërkim dhe i ka mohuar akuzat./ Zoom.al