Aplikacion
Florin Oprinoiu 51 vjeç, Marian Mihai 45 vjeç dhe Adrian Simoiu 20 vjeç shkundën bankomatet e Tiranës dhe më 7 janar ia mbathën jashtë vendit. Njëra prej dy bankave të goditura, sipas burimeve të Zoom.al është Raiffeisen Bank.
Autoritetet kanë zbardhur gjashtë raste të autorëve, dy prej tyre të mbetura në tentativë. Të njëjtat burime zbulojnë se njëri prej bankomateve të vjedhura të Raiffeisen Bank është ai i pozicionuar në Rrugën Bardhyl, informacion i cili konfirmohet edhe në pamjet e shpërndara nga Policia e Shtetit.
Vjedhjet u bënë me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave te vjedhura dhe duke dëmtuar ATM-të me mjete të forta.
Teksa ende nuk dihet emri i institucionit tjetër financiar, viktimë e vjedhjes, për Raiffeisen Bank kjo nuk është e para herë që sulmohen bankomatet e saj.
Janarin e 2019-ës, një bankomat i Raiffeisen u tentua të vidhej me mjete të forta në orët e para të mëngjesit, në zonën e Vorës. Asokohe, banorët e zonës treguan se ngjarje të tilla kishin ndodhur shpesh dy muajt e fundit. Policia deklaroi se autorët nuk kishin mundur të merrnin para gjatë grabitjes, por dyshimet flisnin për të kundërtën. Banorë të zonës u thanë uniformave blu se ishin gjetur të dëmtuara disa kartmonedha me prerje 5 mijë lekëshe, që mendohej se ishin marrë me forcë nga bankomati.
Një vit më vonë, një rast i paprecedentë ndodhi sërish në një ATM të Raiffeisen Bank. Këtë herë në Ferizaj. Autorët tentuan të hapnin bankomatin me lëndë shpërthyese, duke përdorur eksploziv.
“Nuk kemi ende ndonjë konfirmim nëse kanë arrit t’i nxjerrin të hollat,”- ishte njoftimi i policisë.
Tre muaj më parë, po në Ferizaj dhe po në bankomatin e Raiffeisen Bank ndodhi një tjetër sulm, pamjet e së cilës u bënë virale në rrjetet sociale. Një grabitje e armatosur me 4 autorë çoi në një shkëmbim të rrezikshëm zjarri mes personave të paidentifikuar dhe policisë. Më herët, grabitësit kishin përdorur lëndë shpëthyese dhe armë në drejtim të bankomateve (ngjarja ndodhi në magjistralen Ferizaj-Prishtinë dhe pre e agresorëve ranë 3 bankomate, njëri ndër to ai i Raiffeisen Bank). Teksa lajmi bëri bujë të madhe, nuk u mësua dot nëse u grabitën apo jo para.
Ndodhitë e mësipërme nuk janë raste sporadike. Përkundrazi, përgjatë viteve, incidente apo sulme të mirëfillta ndaj bankomateve kanë qenë dhe janë të shumta, por vetëm një pjesë fare e vogël e tyre mundet të depërtojë në censurimin që i bëhet informacionit. Pjesa tjetër mbetet vetëm në formën e thjeshtë të raportimit “një ATM e një banke të nivelit të dytë…”, duke i mbajtur të fshehura informacionet për qytetarët.
VJEDHJA E RAIFFEISEN BANK NGA VETË PUNONJËSIT, DREJTUESIT E FSHEHIN
Pak muaj më parë Raiffeisen Bank u përfshi në një skandal të vjedhjes së llogarive bankare të disa klientëve. Ngjarja ka ndodhur në degën e Raiffeisen Bank në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Drejtoresha e degës, e identifikuar si Esela Metaj, në bashkëpunim me disa arkëtare kishte ngritur një mekanizëm për të vjedhur klientët përmes mashtrimit.
Zoom.al, së bashku me disa media të tjera online, zbuluan vjedhja ishte raportuar te drejtuesit e Raiffeisen Bank, por ata kanë vendosur ta mbajnë të fshehtë për të mos dëmtuar imazhin e bankës, me qëllim që klientët të mos largohen prej saj.
“Ka ndërhyrje për të izoluar hetimet që të mos shkojnë deri tek roli i kupolës drejtuese (të Raiffeisen Bank) si drejtori i Përgjithshëm Christian Canacaris apo anëtarja e bordit drejtues për Retail, Vilma Baçe”, – raportuar të paktën dy portaleve të njohura në vend.
Zoom.al kërkoi informacione zyrtarisht nga Raiffeisen Bank në Shqipëri. Greta Lekaj, e zyrës së shtypit, në një përgjigjje të shkurtër dhe evasive, nuk e mohoi vjedhjen, por u përpoq ta mbulojë atë duke thënë se raportimet mbi rastin ishin të ekzagjeruara.
Zoom.al kërkoi përgjigje nëse përgjegjës për mos denoncimit të këtij rasti pranë organeve ligjzbatuese ishin Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bankës Christian Canacaris dhe anëtarja e bordit drejtues për Biznesin Retail, Vilma Baçe, siç u raportua nga disa media, por edhe pse ka kaluar 1 muaj nga kërkesa, nuk mori asnjëherë përgjigje.
Një rast i ngjashëm i vjedhjes së klientëve nga drejtuesit e Raiffeisen Bank u regjistrua pak kohë më parë edhe në degën e kësaj banke në Bosnje Hercegovinë. Por ndryshe nga sa po ndodh në Shqipëri, drejtuesit e bankës në Sarajevë i denoncuan punonjësit që kishin ngritur një skemë mashtrimi si kjo e zonës së Kombinatit në Tiranë dhe u kishin marrë dhjetëra mijëra euro klientëve të ndryshëm. /Zoom.al
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”