zoom

In Zoom

Raiffeisen Bank, pakt me oligarkun e shumëpërfolur rus Deripaska për të nxjerrë paratë nga Rusia

 

Reuters – Raiffeisen Bank International (RBIV.VI) ka gjetur një mënyrë të rrezikshme për të ulur koston e nxjerrjes së parave të saj nga Rusia. Banka austriake tha të martën se kishte hyrë në një shkëmbim aktivesh me Rasperia, një entitet ekonomik në pronësi të Oleg Deripaska. Dega ruse e bankës do t’i paguajë oligarkut pak më shumë se 1.5 miliardë euro në këmbim të 28% të aksioneve të tij në Strabag (STRV.VI), një kompani ndërtimi austriake.

Marrëveshja duket si një mënyrë për të shkëmbyer paratë që përndryshe do të ngeceshin në Rusi për një aset të vlefshëm “offshore”. Megjithatë, ajo kërkon miratimin nga Kremlini dhe rregullatorët austriakë, të cilët ngrinë aksionet pasi Rusia pushtoi Ukrainën, dhe tani duhet të merren me një oligark të sanksionuar (nga SHBA e BE –shënim i Zoom.al). Megjithatë, ka një avantazh për një marrëveshje kaq të ndërlikuar.

Raiffeisen po paguan një çmim çuditërisht të lartë prej 43% për aksionet e tij të pakicës në Strabag. Por, nëse do të kishte dashur të merrte të njëjtat 1.5 miliardë euro para nga Rusia, rregullat e Kremlinit do ta kishin detyruar të pranonte një zbritje prej 50% dhe t’i paguante një taksë 10% qeverisë ruse. 1.5 miliardë euro do të ishte zvogëluar në rreth 680 milionë euro. Në vend të kësaj, ajo ka një pasuri me vlerë 1.1 miliardë euro, një humbje e nënkuptuar prej më pak se 30%. Raiffeisen duket si ai që merr një çmim premium. (Nga Pierre Briancon – Reuters)

Raiffeisen Bank rrezikon të sanksionohet nga SHBA e BE

Me një marrëveshje me një kompani në pronësi të oligarkut rus Oleg Deripaska, Raiffeisen Bank rrezikon sanksione të rënda nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Për shkak se ai shihet si një njeri i besuar i Kremlinit dhe veçanërisht i ministrit të jashtëm, Sergei Lavrov, krahur të djathtë të Vladimir Putin, rruga që ka gjetur Raiffeisen Bank për të dalë nga Rusia konsiderohet me të drejtë si e rrezikshme nga agjencia prestigjioze e lajmeve, Reuters.

Kush është Oleg Deripaska?

Deripaska është në listën e oligarkëve të sanksionuar nga perëndimi, pasi konsiderohet si njeri i Kremlinit. Prej vitit 2006 Departamenti Amerikan i Shtetit nisi t’i refuzonte vizat amerikane atij për shkak të dyshimeve për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Porn ë vitet 2011 dhe 2014 ai udhëtoi në SHBA duke përdorur një pasaportë diplomatike ruse.

Në vitin 2018, Deripaska dhe kompania e tij e aluminit u goditën nga sanksionet e vendosura nga SHBA. Në vitin 2021, FBI bastisi dy shtëpi në pronësi të tij në Nju Jork dhe Uashington.

SHBA e akuzon atë se kishte arritur të korruptonte ish-shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal për ta ndihmuar që t’i shpëtonte sanksioneve. McGonigal e ka pranuar fajësinë.

Në aktakuzë gjithashtu është thënë gjithashtu se Deripaska e punësoi McGonigal si “Agjent-1” për të hetuar një oligark rival rus.
Deripaska, nga ana e tij, përballet me akuzat e tij penale të lidhura me shmangien e sanksioneve, që nuk lidhen me pagesat e tij të supozuara për McGonigal.

Ai po hetohet gjithashtu edhe për një çështje që ka të bëjë me Shqipërinë, ku sipas dokumenteve të një gjykate amerikane, ai ka pasur disa takime jo-zyrtare edhe me kryeministrin Rama.

Sipas disa mediave ndërkombëtare, Oleg Deripaska dyshohet të jetë edhe financues i grupit të mercenarëve “Ëagner”.

Për Agathe Duparc, gazetare investigative e OJQ-së Public Eye dhe eksperte për Rusinë, Deripaska është padyshim një nga figurat më të rëndësishme dhe me ndikim pranë Putinit “Mund të themi se ai është me të vërtetë një nga oligarkët më të mëdhenj rusë sot, ai ka një pasuri prej gati 3 miliardë dollarësh. Me grupin industrial Basic Element, ai është aktiv në lëndët e para, ndërtim, infrastrukturë dhe energji. Vërtet, është një grup i madh. Vetëm mendoni se vetëm me kompaninë e tij të aluminit Rusal punëson pothuajse 61 000 njerëz në Rusi. Për këtë ai mund të përballojë të bëjë disa kritika”.

Kompanitë e tij “furnizojnë komponentë, materiale dhe furnizime ushtarake për forcat e armatosura të Federatës Ruse”. Ai është gjithashtu pronar i Kompanisë Industriale Ushtarake, një furnizues kryesor i armëve për forcat e armatosura ruse.

Sanksione edhe në Zvicër

Që nga 13 prilli 2022, edhe Zvicra ka miratuar sanksione kundër tij dhe disa prej kompanive të tij. Dhe në Zvicër gjatë viteve Deripaska ka bërë biznes, shumë biznes. “Në Zvicër, përmes kompanisë Rasperia Trading Limited, ajo zotëron 27% të aksioneve në kompaninë Strabag SE, një kompani austriake ndërtimi dhe punësh publike që zotëron Strabag Suisse.
Ai ka edhe kompaninë e tij EN+, shumëkombëshen zvicerane të lëndëve të para Glencore ku është ende një aksioner me 10.5%.

Lidhjet e tjera të luftës së Deripaskës

Dega qipriote e kompanisë Rusal, e kontrolluar nga Oleg Deripaska, dihej se kishte një licencë ekskluzive të minierave në guroren LLC Glukhiv Quarzites (Banitsky). Depozita Banitsky, rrethi Glukhiv, rajoni Sumy, Ukrainë: përmban kuarc unik të përbërë nga silikon me cilësi të lartë (99%). Para luftës e furnizonte këtë material të çmuar pothuajse ekskluzivisht Rusinë, mbi 90% përfunduan në industrinë e mbrojtjes përmes një kompanie tjetër, Ural Silicon në pronësi gjithashtu të Deripaska. E njëjta fabrikë e Deripaskas i shiti silikon Uzinës Mekanike SHA Novosibirsk “Iskra”, fabrika e rëndësishme në sektorin e prokurimit të mbrojtjes shtetërore.

Raiffeisen Bank dhe lufta Rusi-Ukrainë

Bankës Raiffeisen i është kërkuar vazhdimisht nga Ukraina që të largohet nga Rusia. Kievi madje e akuzoi atë dhe disa banka të tjera se po financonin makinerinë e përgjakshme ruse që po vriste përditë ushtarë dhe civilë ukrainas. Shumë banka e kompani të mëdha u larguan nga Rusia duke i shitur astetet e tyre. Raiffeisen vendosi të qëndrojë dhe tani pas shtimit të presioneve, në vend të shitjes së aktivitetit të saj, ka zgjedhur bashkëpunimin me oligarkun më të përfolur rus. Lëvizja vjen në një kohë kur Raiffeisen Bank është përfshirë në një gropë financiare prej 2.2 miliardë eurosh bashkë me disa banka të tjera, për shkak të huave të dhëna ndaj një kompanie austriake në vështirësi. /Zoom.al

Postime të lidhura