zoom

Aktualitet

Skema e Drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala. “Zhduk” kompaninë 10 mln euro pasi mori detyrën

Skema e Drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala. “Zhduk” kompaninë 10 mln euro pasi mori detyrën

Drejtoresha e Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, ndodhet në qendër të një skandali që përfshin fshehje pasurie dhe transferime fiktive aksionesh. Investigimi i emisionit “Tak Fak” nxjerr në dritë lëvizjet e dyshimta të kompanisë “2D Construction 2025” (ish “Gea Construction”), e cila vetëm pak kohë pas ndryshimit të pronësisë, ka siguruar projekte miliona eurosh.

Faktet kyçe të skemës:

Akti i parë është dhurimi i aksioneve. Pasi u emërua në Ministrinë e Financave në 2024, Lala ia “dhuroi” aksionet e saj Marsida Dedejt, duke shmangur deklarimin e tyre në formularin e pasurisë.

A është kjo një gafë apo pronësi e fshehur? Vetëm një ditë pasi Lala doli nga letra si pronare, bashkëshorti i saj, Taulant Godroli, pagoi gjobat e kompanisë në QKB. Pse një person “pa lidhje” ligjore paguan detyrimet e një firme private?

Aksionet kalojnë kështu te rrethi i ngushtë. Përfituesja e tyre është bashkëshortja e ekonomistit që harton bilancet e kompanive ku Godroli është administrator.

Në fund, humbja e gjurmëve. Kompania ndryshoi emrin dhe nisi procedurat për leje ndërtimi nga KKT menjëherë pas transferimit, ndërsa zyrat mbetën në të njëjtin ambient me bizneset e bashkëshortit të drejtoreshës.

Ndryshimi i emrit dhe dhurimi i aksioneve ngrenë indicie të forta për një operacion fiktiv me qëllim shmangien e kontrollit nga Prokuroria. Ndërkohë që Lala drejton Tatimet e Tiranës si e komanduar, kompania e lidhur me të po përgatitet për projekte 10 milionë eurosh. © Zoom.al

Postime të lidhura