zoom

Aktualitet

Skandali te Magjistratura, Çupi: U shtuan 52 kandidatë klandestinë, të përsëritet procesi!

Skandali me provimin e Magjistraturës nuk ka mbetur në hije. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi ka kërkuar që procesi për pranimin në Shkollën e Magjistraturës të kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë duhet të përsëritet.

Deputetja Çupi theksoi se faza e parë e provimit duhet të anulohet dhe se shtimi i 52 kandidatë të skualifikuar, sipas saj, “me pretendimin e mosfunksionimit të pajisjeve”, ngrejnë pikëpyetje mbi rregullshmërinë dhe integritetin e këtij proçesi.

Ajo u shpreh se administrimi i rregullt dhe korrekt i provimit është garanci për pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në të ardhmen.

“Administrimi i rregullt dhe korrekt i provimit për pranimin në Shkollën e Magjistraturës të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë është garanci për pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në të ardhmen.

Problematikat e shfaqura gjatë zhvillimit të provimit të pranimit këtë vit, ku 79 kandidatëve të kualifikuar fillimisht, iu shtuan edhe 52 kandidatë të tjerë të skualifikuar, me pretendimin e mosfunksionimit të pajisjeve, ngrejnë pikëpyetje mbi rregullshmërinë dhe integritetin e këtij proçesi.

Prandaj, me qëllim që mbi proçesin e pranimit të magjistratëve të rinj të hiqet çdo hije dyshimi, i bëj thirrje sot Drejtorit dhe Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, të anullojnë fazën e parë të provimit dhe të përsërisin proçesin nga e para”, shprehet Dhurata Çupi. /ZOOM.AL/