zoom

Aktualitet

Indinjatë për heqjen e notës mesatare të Magjistraturës. A është kjo Drejtësia që duam? 

Prej dy ditësh, lajmi për ndryshimet në kriterin e notës mesatare të Magjistraturës ka trazuar jo pak ujërat institucionale të Drejtësisë, legjislativit, por edhe faktorit civil, si jurisprudencës dhe shoqërisë civile.

Por ajo që vret më shumë deri tani opinionin mbarë shqiptar pas lajmit, është “heshtja e varrit” e institucioneve të pavarura të vetë Drejtësisë: KLP, KLGJ e të tjera, atyre institucionale legjislative të Kuvendit, Qeverisë, por madje edhe Ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë, BE SHBA, që kanë hedhur miliona për ta pastruar drejtësinë nga marifetçinjtë!

Nuk është pritur aspak mirë, duke u parë si standard i dyfishtë, klientelist me prapavijë për të zaptuar vendet e garës së Magjistraturës dhe mbi të gjitha aspak serioz për një vend që realizoi dhe trumbeton apo krenohet me Reformën në Drejtësi.

Reagimet nuk kanë munguar dhe sot grupimi shoqërisë civile “Qëndresa Qytetare” dhe FRPD-ja kanë shprehur fuqishëm kundërshtinë, duke denoncuar segmentet qeveritare.

Madje kryetari i Forumit të të Rinjve Demokratë, Besart Xhaferri, e cilëson si hapje rruge për “kamikazët e rinj të sistemit të drejtësisë.

“Shkolla e magjistraturës, mesatarja hiqet për t’i hapur rrugë kamikazëve të rinj në sistemin e drejtësisë!

Nuk kanë të ndalur manovrat për degradimin e sistemit të drejtësisë, teksa vrasësit e drejtësisë me direktiva të partisë kanë vendosur të heqin mesataren 8 për ata që duan të regjistrohen në shkollën e magjistraturës”, tha Xhaferri.

Por ai shkoi edhe më tej, duke dhënë një argument: “Kjo është një manovër për t’i hapur rrugën edhe atyre patronazhistëve mediokër me mesatare nën 8 në një degë si Juridiku, që të bëhen magjistratë të rinj e nesër të jenë të gatshëm si kamikazë në sistemin e drejtësisë për llogari të interesave të pushtetit”.

Në fund ai propozoi që ekspertët e fushës nuk duhet të heshtin përballë këtij skandali, pasi “nuk e kemi luksin të kthehemi në kohën kur drejtësia ishte drapër dhe çekan në duart e pushtetit kundër njerëzve dhe shtetit!”.

Edhe avokati Sokol Hazizi i ka denoncuar kriteret e përdorura dhe dyshimet për heqjen e Mesatares, duke vënë në dukje se kjo jo vetëm ul cilësinë në sistemin e Drejtësisë, por krijon edhe dyshime për qëllimet dhe rezultatin e kësaj lëvizjeje për të ardhmen.

Kurse Qëndresa Qytetare ishte e qartë në konkluzionin e saj: “Heqja e Notës mestare 8 në Magjistraturë, rrëzon cilësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj”.

Dhe e parë nga jashtë me një sy kritik, ky vendim duket si një dozë shumë e fortë jo vetëm paaftësie dhe arrogance për Shqipërinë që po troket në dyertë e BE-së, por edhe si një hapje e dyerve të klientelizmave, influencave partiake, kriminale dhe korruptive mbi të gjitha.

“Shkolla e Magjistratures te pastrohet nga të shkarkuarit e Vetingut. Ky vendim dekurajon studentët e ekselencës dhe zhvlerëson Fakultetet e Drejtësisë. Magjistratura me dyer të hapura, ul besimin e qytetarëve tek sisitemi i ri i drejtësisë. Heqja e mesatares, hap mbrapa ne reformimin dhe permiresimin e sistemit gjyqesor”, shprehet Qëndresa Qytetare ndër të tjera.

 Më poshtë reagimi i plotë i QQ:

“Prej të paktën dhjetë vitesh, çdo person që të mund të kandidonte për të ndjekur programin e Formimit Fillestar, krahas kriterit të notës mesatare, duhet të plotësonte dhe kriterin e notës mesatare mbi 8 (tetë) për një grup lëndësh si: e drejta civile dhe e detyrimeve; e drejta penale, pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme; procedura civile; procedura penale; e drejta administrative dhe e drejta kushtetuese.

Ndryshimi i kritereve të pranimit duke hequr si kriter notën mesatare për këtë grup lëndësh, veçanërisht në kushtet kur numri i kuotave për magjistratë është rritur ndjeshëm, është një thirrje e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës e ngjashme me ato që dëgjohen në terminalin ndërkombëtar të autobusëve “Edhe 1 se u mbush”, që dekurajon studentët e ekselencës në drejtësi, por që mbi të gjitha rrezikon të zhbëjë sistemin e meritokracisë dhe vlerësimit nëpër fakultete.

Problemet që mund të kenë ekzistuar në lidhje me përllogaritjen e mesatares së grup lëndëve kryesore, qoftë edhe ato probleme që lidheshin me transparencës dhe integritetin e të gjithë procesit të regjistrimit të kandidatëve për ndjekjen e programit të Formimit Fillestar për magjistrat nuk mund të zgjidhen duke e hequr këtë kriter, por duke gjetur mekanizmat përkatës për ta bërë sa më transparent dhe të besueshëm procesin e kandidimit në Shkollën e Magjistraturës.

Zgjidhja aktuale, tashmë e miratuar nga ana e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, që përbëhet, ndër të tjera, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i KLGJ-së, Kryetari i KLP-së dhe funksionarë të tjerë të lartë, duke përfshirë këtu dhe Ministrin e Drejtësisë, jo vetëm që nuk është një zgjidhje, por në këndvështrimin tonë do të ulë ndjeshëm cilësinë e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës.

Profesorë të nderuar, drejtues të organeve qeverisëse të pushtetit gjyqësor, si dhe Ministria e Drejtësisë, bashkë me gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët duhet të ishin, ndër subjektet e para, që duhet të mbronin Shkollën e Magjistraturës dhe integritetin e saj, si dhe të ndikonin në forcimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, ndërmarrin hapa që sjellin regres përsa i takon besimit të publikut tek drejtësia.

Në këtë moment kur sytë e qytetarëve janë drejtuar tek SPAK-u dhe Reforma, elitat e këtij sistemi moren një vendim që ngre dyshime, pikpyetje dhe mosbesim tek rekrutimi i gjyqtareve dhe prokuroreve te rinj.

Qendresa Qytetare ngre shqetesimin se Shkolla e Magjistratures ende nuk eshte paatruar nga te shkarkuarit dhe dorehequrit e vetingut, te cilet nuk kane moral dhe etike per te formesuar gjyqtaret e rinj”. /ZOOM.AL/