zoom

Lajme

Skandali me fondet e BE/ Parlamenti grek heq imunitetin për 13 deputetë

Skandali me fondet e BE/ Parlamenti grek heq imunitetin për 13 deputetë

Parlamenti i Greqisë ka miratuar heqjen e imunitetit për 13 deputetë të partisë në pushtet “Demokracia e Re”, duke i hapur zyrtarisht rrugë një hetimi penal nga Prokuroria Europiane në lidhje me një skandal të dyshuar për abuzim me fondet e Bashkimit Europian në sektorin e bujqësisë.

Çështja lidhet me agjencinë shtetërore OPEKEPE, e cila menaxhon miliarda euro subvencione çdo vit për fermerët grekë.

Hetimet paraprake të institucioneve europiane ngrenë dyshime se një pjesë e këtyre fondeve mund të jenë përfituar në mënyrë të parregullt përmes deklarimeve të rreme dhe ndërhyrjeve të paligjshme në procesin e aplikimeve.

Vendimi në parlament u mbështet nga shumica e deputetëve, ndërsa vetë 13 ligjvënësit e përfshirë në dosje kërkuan që imuniteti t’u hiqej, duke deklaruar se janë të gatshëm të përballen me drejtësinë dhe se synojnë të provojnë pafajësinë e tyre.

Ata kanë argumentuar se veprimet e tyre kanë qenë pjesë e detyrës si përfaqësues të zonave zgjedhore, duke ndërhyrë në çështje administrative për qytetarët dhe fermerët, dhe jo pjesë e ndonjë aktiviteti të paligjshëm.

Megjithatë, Prokuroria Europiane dyshon se në disa raste janë favorizuar individë të caktuar për përfitime financiare, duke shkaktuar një dëm të vlerësuar në miliona euro për buxhetin e Bashkimit Europian./ Zoom.al

Postime të lidhura