Aplikacion
Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në një skandal politik këtë të mërkurë.
Edhe pse fushata elektorale nga institucionet publike është e ndaluar me ligj, Kuvendi, që drejtohet nga ish-ministrja socialiste Elisa Spiropali, ka bërë thirrje për të votuar Partinë Socialiste më 11 maj.
Një thirrje e tillë në rrjetet sociale ngre shqetësime për keqpërdorimin e institucioneve publike dhe për shndërrimin e tyre në mjete që përdoren për fushatë elektorale.
“VOTO 5❤️ nga e majta në të djathtë, bashkë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, drejt e në qendër të fletës së votimit, PS/Edi Rama️” – shkruhej në postimin në Facebook, ku ishte publikuar edhe një foto dore me 5 gishta, që tregon numrin e PS-së në fletën e votimit.

Postimi ka qëndruar për disa minuta në faqe dhe më pas është fshirë.
Pas skandalit, Kuvendi i Shqipërisë reagoi.
“Kuvendi i Shqipërisë është një institucion demokratik pluralist gjithëpërfshirës, përfaqësues i vullnetit të popullit dhe i të gjitha forcave politike.
Sqarojmë opinionin publik se shërbimet e Kuvendit, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, bazohen në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë.
Kuvendi i Shqipërisë garanton opinionin publik se administrata dhe shërbimet, faqja dhe rrjetet sociale të tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare”, tha zyra e shtypit e Kuvendit.
Ndërkohë, lidhur me këtë postim, disa deputetë të partive opozitare deklaruan se kanë dorëzuar denoncim në KQZ./ Zoom.al