zoom

Aktualitet

Skandal në Tiranë/ Ministri i Kosovës braktis konferencën, shkak fusnota

Skandal në Tiranë/ Ministri i Kosovës braktis konferencën, shkak fusnota

Zëvendësministri në detyrë i Financave të Kosovës, Agon Dobruna është larguar nga një konferencë rajonale e nivelit të lartë që u zhvillua në Tiranë, pasi Kosova u paraqit me fusnotën që bën referencë ndaj Rezolutës 1244 të OKB-së.

Përmes një postimi në Facebook, Dobruna deklaroi se nuk mund të pranonte një trajtim të tillë ndaj Kosovës, duke refuzuar të nënshkruajë Deklaratën e Angazhimit për bashkëpunim rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve.

“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,”- u shpreh ai.

Zëvendësministri theksoi se pavarësisht kërkesave të drejtpërdrejta për të korrigjuar këtë paraqitje, ato u injoruan nga organizatorët, duke cënuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit që konferenca vetë pretendonte të promovonte.

Dobruna e quajti përdorimin e fusnotës si një çështje të dinjitetit kombëtar dhe një akt që bie ndesh me realitetin politik të Kosovës. Ai kujtoi se Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar dhe se një vend mik si Shqipëria duhet të jetë i kujdesshëm në mënyrën e trajtimit të këtij realiteti.

Postime të lidhura