Aplikacion
Këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, ka reaguar lidhur me dëgjesat publike të zhvilluara së fundmi në Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, për herë të parë janë realizuar “dëgjesa të vërteta publike”.
Sipas Zhulalit, pjesëmarrja e qytetarëve dhe kërkesa për llogari kanë sjellë rezultate konkrete në disa çështje që lidhen me rindërtimin, ndotjen dhe menaxhimin e pronës publike në kryeqytet.
Ajo shprehet se gjatë një prej dëgjesave, tre pallate të dëmtuara nga tërmeti u shpëtuan nga shembja, duke shmangur nxjerrjen nga banesat të dhjetëra familjeve. Sipas saj, kjo u arrit falë përballjes së drejtpërdrejtë të banorëve me bashkinë dhe denoncimit të praktikave abuzive.
Në një tjetër dëgjesë, Zhulali deklaron se mbi 400 familje të prekura nga tërmeti, të cilat vijojnë të jenë pa zgjidhje strehimi, mësuan se procesi ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Këshilltarja demokrate ngriti shqetësimin edhe për nivelin e ndotjes në kryeqytet, duke pretenduar se sipas matjeve të prezantuara në dëgjesa, niveli i grimcave të dëmshme dhe ndotësve në ajër arrin deri në shtatë herë mbi normat e lejuara, ndërsa gjatë dimrit mund të shkojë deri në 14 herë mbi kufijtë maksimalë.
Sipas saj, Bashkia e Tiranës vijon të ndjekë të njëjtin plan masash që ka dështuar deri më tani, pasi refuzon ndërhyrje më drastike ndaj burimeve të ndotjes.
Në reagimin e saj, Zhulali paralajmëron gjithashtu se në një nga dëgjesat e fundit është evidentuar një tjetër skemë që ajo e cilëson si korrupsion dhe grabitje të pronës publike, për të cilën premton se do të publikohen detaje në ditët në vijim.
Në fund, ajo falënderoi qytetarët që morën pjesë në dëgjesa, duke theksuar se presioni publik dhe kërkesa për transparencë mund të detyrojnë institucionet të tërhiqen nga praktikat abuzive.