zoom

Aktualitet

Si arriti “Baroni i drogës” t’i shpëtonte operacioneve ndër vite dhe çfarë iu gjet në shtëpi

“Baroni i drogës” nga Fushë-Kuqa, i ka shpëtuar dhjetëra operacioneve policore ndër vite dhe burgimit, edhe pse në të paktën dy raste është ndaluar. Ish-efektivi i forcave speciale mbi dy dekada më parë, Gëzim Çela është arrestuar dje në Ferizaj, ndërsa ishte i shpallur në kërkim prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.

Por arratia e tij i dedikohet më shumë aftësisë së tij pët t’i mbijetuar terrenit të bizneseve ilegale, influencave, njohjeve dhe informacioneve. Në pjesën më të madhe të rasteve ka shpëtuar nga ndjekja duke ndërruar bazat dhe siguruar informacione nga brenda policisë për operacionet. Ky dekonspirim e ka ndihmuar që shpesh të zhvendoset në Kosovë, aty ku kryente pjesën më të madhe të biznesit.

Mësohet se ai strehohej në banesën e shtetasit shtetasit A. I, në një fshat të Vitisë, ku pas kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik me 15 fishekë.

“Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”, pasi:

Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit  Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme”, tha policia për operacionin e koduar “Fundi i trishtë”.

55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. /A.Q./