Aplikacion
Tirana dhe Partizani barazuan 1-1 në derbin e kryeqytetit (Air Albania), takim ky i vlefshëm për kampionatin. Një sfidë plot emocione dhe tension, por në fund nuk pati fitues.
Ndeshja ka nisur rreth 10 minuta me vonesë si pasojë e hedhjes së tymuese në fushë, pasi arbitri kryesor ka pritur deri sa pamja të qartësohet. Tirana u duk më e rrezikshme në fillim dhe kishte më shumë iniciativë. Dhe ngulmimi u shpërblye në minutën e 28-të kur Florent Hasani shkarkon të majtën e tij brenda zonës dhe 1-0.
Bardheblutë në festë bashkë me tifozët. Goli i nëntë për sulmuesin e Tiranës, që barazon Duamenën në krye të shënuesve më të mirë. Por shtatë minuta më pas ndeshja do të ndërpritej, pasi është goditur nga sende të forta Najdovksi nga ana e tifozërisë së kuqe dhe Qirko në krahun tjetër nga ajo bardheblu.

Partizani dominon 10 minutat e fundit të pjesës së parë, krijon 2-3 mundësi të mira, por nuk arrin të barazojë. E dyta nis me një rast të artë për Latifin, por nuk arrin ta devijojë në rrjetë. Tirana kërkoi të vrasë ndeshjen me një gol të dytë, por me kalimin e minutave edhe Partizani rrit ritmin.
Nuk mungojnë edhe përplasjet verbale në fushë, siç ishte ai mes Dokës dhe Rrapajt, që marrin kartonët e verdhë. Për të ardhur në minutën e 79-të, kur Murataj jep një pasim të bukur për Kekon dhe ky i fundit nuk fal, duke barazuar shifrat në 1-1, edhe pse kishte pak minuta në fushë. Derbi ishte i hapur deri në fund, me raste nga të dyja krahët, por nuk pati fitues.
Përleshje mes tifozëve në fund
Por derbi Tirana-Partizani u mbyll 1-1, por vetëm rezultati ishte paqësor. Në fakt, edhe pas takimit, në tribunat e “Air Albania” ka patur përplasje mes tifozërive, çka ka sjellë ndërhyrjen e FNSH. Mësohet se janë shkulur edhe ulëse dhe situata është kthyer në normalitet vetëm pas disa minutash.
Gjithçka ka nisur pasi ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes, me të dyja palët e tifozerive që ngacmonin njëra-tjetrën me fjalë. Pasi mbështetësit u afruan, filloi tensioni dhe sherri. Ndërhyrja e Policisë nuk erdhi menjëherë, por pak më pas.

Pamje të tilla janë mjaft të shëmtuara dhe nuk i shërbejnë aspak elitës së futbollit shqiptar. Sa i takon takimit, golit të Hasanit iu përgjigj Keko. Tirana dhe Partizani janë dy nga pretendentët kryesorë për titullin kampion në fund. Se kush do ia dalë mbanë, këtë do e tregojë koha. /ZOOM.AL/