zoom

Aktualitet

Shuhet legjenda e volejbollit shqiptar, Kreshnik Tartari

Shuhet legjenda e volejbollit shqiptar, Kreshnik Tartari

Sporti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej figurave më të mëdha të volejbollit kombëtar, Kreshnik Tartari.

Legjenda e rrjetës shqiptare u nda nga jeta më 30 maj në San Marino, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lajmi është konfirmuar nga miq, ish-sportistë dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite.

Kreshnik Tartari konsiderohej si një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e volejbollit shqiptar, jo vetëm si lojtar, por mbi të gjitha si trajneri që ngriti “Dinamon” e femrave dhe ekipin kombëtar në nivele europiane.

Nën drejtimin e tij, “Dinamo” shkroi faqet më të arta të sporteve me dorë në Shqipëri. Skuadra arriti në “Final Four” të Kupës së Kampioneve të Europës në vitin 1980, ndërsa kulmi erdhi në vitin 1990, kur fitoi medaljen e bronztë në Europë, suksesi më i madh i një klubi shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Tartari ishte arkitekti i një brezi të artë volejbollistesh shqiptare dhe konsiderohej si strategu që solli disiplinë, metodologji moderne dhe mentalitet fitues në sportin shqiptar.

Përveç suksesit me “Dinamon”, ai drejtoi edhe Kombëtaren shqiptare të volejbollit për femra, duke përballur Shqipërinë me ekipet më të forta të Europës në atë periudhë.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, Kreshnik Tartari është vlerësuar ndër vite me titujt “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Mjeshtër i Madh”./ Zoom.al

Postime të lidhura