Aplikacion
Qeveria shqiptare e paraqiti këtë si një moment historik për bashkëpunimin mes dy vendeve. Por pyetja kryesore mbetet: Kush po përfiton më shumë nga marrëdhëniet e krijuara mes dy vendeve?
Porti i Durrësit, dritëhijet e një projekti të dyshimtë
Marrëveshja më e rëndësishme ekonomike mes Shqipërisë dhe Emirateve mbetet projekti i Portit të Durrësit, një investim prej mbi 2.2 miliardë dollarësh që u është dhënë Emirateve përmes një procesi të diskutueshëm dhe të kritikuar për mungesë transparence.
Projekti gjigant për një nga asetet më të mëdha strategjike kombëtare i është dhënë pa garë dhe pa një vlerësim të drejtë të përfitimeve për vendin një kompanie offshore të krijuar enkas nga biznesmeni arab Mohamed Alabbar, të quajtur “Eagle Hills”.
Por kush qëndron realisht pas “Eagle Hills”?
Qeveria shqiptare e ka promovuar investimin si një sukses të madh ekonomik, por ka shmangur të japë detaje të plota mbi pronësinë dhe financimin. Por kë po fsheh ajo me refuzimin për të bërë transparencën?
Ka dyshime të forta se pas “Eagle Hills” qëndron vetë familja e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe se Alabbar është vetëm një “presta nome” në këtë rast. Sipas kontratës, ai do të duhet të sigurojë vetëm 180 milionë euro për projektin, ndërsa mbi 2 miliardë të tjera nuk është ende e qartë se ku do të gjenden.
Shqipëria ka dhuruar 800 mijë metër katrorë tokë falas në një prej porteve më të mëdha në Ballkan dhe do të fitojë afro 30% nga ky projekt. Ekspertë të ndryshëm thonë se vetë si pronare toke do të kishte përfituar shumë më tepër, pasi bëhet fjalë për një aset strategjik,
Përfitimet nga ky projekt do të jenë shumë më të mëdha për “Eagle Hills” sesa për vetë Shqipërinë. Llogaritjet tregojnë se nga ky investim, Emiratet mund të fitojnë mbi 1 miliard euro. Por Edi Rama kënaqet kur presidenti i EBA firmos marrëveshje për t’i dhënë Shqipërisë 50 milionë euro. Ky është një shembull tipik i një marrëdhëniejeje ku një palë del fituese absolute, ndërsa pala tjetër jep pasuritë e saj strategjike për përfitime minimale dhe për më tepër del e kënaqur.
Ky fakt ngre dyshime të forta mbi pse ky projekt u dha pa konkurrencë të hapur, pa transparencë dhe pa një analizë të thelluar të ndikimit ekonomik dhe strategjik.
Edhe Bashkimi Europian e ka parë me dyshim këtë projekt.
Por nëse gjithçka është e ligjshme dhe e pastër, atëherë pse qeveria refuzon të bëjë transparencë mbi pronësinë e plotë të “Eagle Hills”?
Pa transparencë, ky projekt mbetet një nga marrëveshjet më të errëta të qeverisë Rama dhe një shembull klasik i mungesës së llogaridhënies për pasuritë kombëtare.
LEXONI EDHE: Çfarë fitojmë dhe sa humbim nga projekti i Portit të Durrësit?
Teknologji, energji dhe inteligjencë artificiale
Nga vizita e sotme e Presidentit të EBA u nënshkruan disa marrëveshje:
• Marrëveshja kuadër për energjinë mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST – Kompania e Emirateve Masdar është një nga firmat më të mëdha të energjisë së rinovueshme në botë. Por a do të thotë kjo që Shqipëria do të ketë më shumë përfitime në sektorin energjetik, apo thjesht do të vendoset në një varësi të re ndaj investitorëve të huaj?
• Letra e Angazhimit për “Albania Smart City” mes “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme – Një marrëveshje që përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemet e sigurisë dhe administratën publike. Kjo ngre pyetje mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe mënyrën se si Emiratet do të influencojnë sektorin e teknologjisë në Shqipëri.
Por këto projekte duken më shumë propagandë sesa kanë përfitime konkrete.
Ndërsa qeveria shqiptare i paraqet këto marrëveshje si një sukses, mungesa e transparencës mbi përfitimet reale për Shqipërinë mbetet një shqetësim madhor. Deri më tani, duket se Shqipëria po jep më shumë sesa po merr, duke i dhuruar Emirateve projekte të mëdha strategjike pa një bilanc të qartë ekonomik dhe afatgjatë.
Vizita e Presidentit të Emirateve mund të jetë një shenjë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe shqiptarët mund të kënaqen se shohin një “super sheik” në Tiranë. Por pakkush e di se kjo dashamirësi e “mikut” arab është blerë me flori. /Zoom.al