Aplikacion
Është shpallur projekti fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve. Mes pesë projekteve finaliste në garë, investimi iu besua bashkimit të studiove dhe kompanive “Herzog & de Meuron Basel Ltd”, së bashku me Julian Beqiri, Marsela Demaj, Michel Desvigne (MDP), Gentian Shkurti, “SUEB INDUSTRIES” sh.p.k., “The Space Factory Ltd” dhe “KLAR” sh.p.k.

Gjatë prezantimit të projektit, arkitektët fitues shpjeguan se koncepti kryesor synon të ruajë identitetin historik të Pallatit të Kongreseve, duke ndërhyrë në mënyrë minimale në strukturën ekzistuese të godinës.

Sipas projektuesve, objekti konsiderohet një ndërtesë me vlera arkitekturore dhe historike për kohën kur është ndërtuar, ndaj fokusi kryesor do të jetë modernizimi i hapësirave pa cenuar karakterin origjinal të saj.

Një nga elementët kryesorë të projektit është krijimi i një zone të madhe publike të gjelbër rreth Pallatit të Kongreseve, e konceptuar si një “dhomë pritjeje urbane” për qytetarët.
Projekti parashikon ndërtimin e një sheshi të ri publik, riorganizimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe krijimin e një atriumi që zbret gradualisht në nivelet e poshtme të kompleksit. Sipas arkitektëve, kjo hapësirë do të krijojë efektin vizual të një pylli urban dhe do të jetë e aksesueshme për publikun.

Brenda godinës janë planifikuar ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e kushteve teknike dhe funksionale. Projekti përfshin modernizimin e akustikës, zëvendësimin e çatisë aktuale me një strukturë të re çeliku, si dhe ndërtimin e gjashtë sallave të reja konferencash me një kapacitet total prej rreth 1,600 personash.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektit është edhe ndërtimi i një kulle multifunksionale pranë Pallatit të Kongreseve, e cila do të përfshijë ambiente zyrash dhe hotelerie. Në fakt, çdo projekt që ishte në garë në fazën finale shoqërohej me një kullë.

Në vendin e dytë të konkursit u rendit projekti i studios “MVRDV B.V” në bashkëpunim me disa kompani ndërkombëtare dhe shqiptare, ndërsa vendi i tretë iu dha projektit të “Studio GANG” dhe partnerëve të saj./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit