Aplikacion
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim një grup zyrtarësh të lartë, mes të cilëve edhe kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për akuza që lidhen me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë.
Sipas SPAK, çështja lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar në vitin 2019 nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), në kohën kur Benet Beci ushtronte detyrën e administratorit të këtij institucioni. Tenderi kishte si objekt një projekt kërkimor për zhvillimin strategjik të sektorit energjetik, me një fond limit prej 69.5 milionë lekësh.
Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë zhvillimit të procedurës janë kryer veprime të kundërligjshme që kanë favorizuar një subjekt të caktuar. SPAK dyshon se titullari i autoritetit kontraktor, së bashku me anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, kanë ndikuar në mënyrë të padrejtë në përcaktimin e fituesit të tenderit, duke i krijuar avantazhe të pajustifikuara shoqërisë “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Hetimi ka zbuluar shkelje që lidhen me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve të tenderit, si dhe mënyrën e vlerësimit të ofertave, veprime këto që bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore përkatëse.
Procedimi penal është iniciuar pas referimit të bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa provat janë mbledhur përmes teknikave të posaçme hetimore, sekuestrimeve dhe veprimeve të tjera procedurale.
SPAK i ka kërkuar tashmë gjykatës të marrë në shqyrtim çështjen ndaj Benet Becit dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit