zoom

Aktualitet

Shfrytëzonin për prostitucion vajza të mitura shqiptare, goditet organizata kriminale greke

Shtatë vajza të mitura, mes tyre shqiptare, janë detyruar të kryenin prostitucion në Greqi. Për këtë rast janë arrestuar dy femra 25 dhe 21 vjeç dhe dy meshkuj 25 dhe 54 vjeç, të gjithë grekë, ndërsa në dosjen e çelur nga autoritetet greke janë përfshirë edhe 6 persona të tjerë.

Të arrestuarit në Athinë janë Maria Sampou, 25 vjeç, Zaharias Kountoupis, 25 vjeç, Maria Mefsout, 21 vjeç dhe Emanuil Retzios, 54 vjeç. Viktimat e prostitucionit janë 7 të mitura të moshës 16-18 vjeç.

Maria Sampou dyshohet se, sipas të dhënave të mbledhura nga EL.AS., ka krijuar kontakte me të mitura që nga vera e vitit 2023 dhe ua ka bërë të lehtë gjetjen e “klientëve” për takime seksuale me pagesë, natyrisht duke marrë një pjesë të parave që kanë fituar. Në veçanti, për “shërbimet” e saj Maria thuhet se merrte zakonisht nga 50 deri në 100 euro në varësi të parave që merrnin të miturat (200-400 euro), ndërsa shumë herë ajo vepronte edhe si shoqëruese, duke i çuar vetë vajzat në takime.

Gjithashtu bie në sy se disa nga “klientët”, të cilët u takuan me të miturat, në konsultim me 25-vjeçaren Sampou, në vend të parave u siguronin atyre me pagesë lëndë narkotike, konkretisht kokainë. Ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve, dy prej tyre akuzohen se kanë transportuar të miturat drejt dhe nga hotelet ku kanë ndodhur takimet seksuale duke përdorur makinat e tyre. Njëri prej tyre është në fakt një shofer taksie.

Më në fund, efektivët e policisë arrestuan edhe një 21-vjeçaren Maria Mefsout, e cila akuzohet se në një kohë të pacaktuar, por në të njëjtën periudhë veprimi me të arrestuarit e tjerë, ka shtyrë njërën prej të miturave në prostitucion duke marrë një pjesë të parave që ajo fitonte. /ZOOM.AL/