zoom

Aktualitet

Shfrytëzonin 10-vjeçarin në TikTok me video banale për përfitim, arrestohen babai e gjyshja (EMRAT)

Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Show”.

Forcat e Komisariateve Kuçovë dhe Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë Berat, goditën sot rastin e shfrytëzimit të një fëmije në rrjetin social TikTok.

Policia tha se babai dhe gjyshja e shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale.

Si pasojë e denoncimit dhe hetimeve, u vunë në pranga 2 të dyshuarit, babai dhe gjyshja e të miturit.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast.

Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Kohët e fundit siguria e materialeve të TikTok dhe etika janë vënë në pikëpyetje, teksa janë publikuar materiale me ndjeshmëri të lartë emocionale dhe psikologjike, duke çuar deri edhe në vetëvrasje, si rasti i 27-vjeçares në Kamëz. /ZOOM.AL/