Aplikacion
Një konflikt i dhunshëm është regjistruar në Pazarin e Vjetër të Korçës, ku përplasja mes disa personave ka përfunduar me një të plagosur me thikë dhe dy të tjerë të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i sherrit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje për hapësirën publike, konkretisht për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në ambientet e jashtme të dy lokaleve.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në konflikt janë përfshirë katër persona, dy vëllezër me dy vëllezër të tjerë. Fillimisht përplasja ka qenë verbale, por më pas ka degraduar në dhunë fizike, ku janë përdorur edhe karrige.
Gjatë konfliktit, njëri prej të përfshirëve ka marrë një thikë dhe ka plagosur një person tjetër në këmbë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dy personat e tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta si pasojë e goditjeve.
Tre prej të përfshirëve kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës dhe pritet të shoqërohen në komisariat së bashku me personin e katërt.
Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.