Aplikacion
TIRANË – E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka përmbyllur një maratonë takimesh me ministrat e sapoemëruar në kabinetin qeveritar, duke diktuar qartë prioritetet e reja të administratës amerikane në Shqipëri.
Në fokus të takimeve me emrat e rinj të ekzekutivit, VanHorn ka bërë të qartë se mbështetja e Uashingtonit do të jetë e kushtëzuar nga rezultatet konkrete në tre shtylla kryesore që prekin sigurinë, drejtësinë dhe ekonominë.
Mesazhi i prerë: Krimi i organizuar, detriment ndaj NATO-s dhe kompanitë amerikane
Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës së SHBA në Tiranë, diplomacia amerikane ka shprehur përkushtimin për zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë, ku spikasin eliminimi i karteleve të drogës, detyrimet ndaj NATO -s dhe mbështetjen e kompanive amerikane për të bërë biznes në Shqipëri.
“VanHorn ritheksoi përkushtimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë të Trump: eliminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar, bindjen e aleatëve të NATO-s për të respektuar angazhimin e tyre të Hagës për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe marrëveshje të drejta për kompanitë amerikane që bëjnë biznes në Shqipëri” – thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.
Lufta ndaj karteleve të drogës, një mesazh i përsëritur ky nga Uashingtoni, ishte një mesazh i drejpërdrejtë për Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari dhe atë të Drejtësisë Toni Gogu, për shpërbërjen e plotë të strukturave të krimit të organizuar.
Përsa u përket detyrimeve ndaj NATO -s, kërkesa ishte specifike për Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi dhe Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, për të respektuar angazhimin sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen në 5 % e PBB-së.
Kërkesa për mbështetjen e kompanive amerikane ishte mesazhi i qartë për Zëvendëskryeministren Koçiu dhe Ministrin Karakaçi për “marrëveshje të drejta” për kompanitë amerikane që operojnë në tregun shqiptar.
Znj. VanHorn ka theksuar se bashkëpunimi do të vijojë vetëm me ata partnerë dhe institucione që ndajnë të njëjtin angazhim për të dhënë rezultate të prekshme.
“Ne vazhdojmë të punojmë me partnerë në të gjitha ministritë dhe institucionet që ndajnë angazhimin tonë për dhënien e rezultateve si për amerikanët, ashtu edhe për shqiptarët” – thuhet në mbyllje të njoftimit.
Kjo lëvizje e Ambasadës shihet si një koordinim i ngushtë me linjën e re politike të Shtëpisë së Bardhë nën administrimin Trump, duke rritur presionin mbi Tiranën zyrtare për transparencë dhe efikasitet. Takimet përfshinë gjithashtu Ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, duke mbyllur kështu ciklin e instruksioneve për të gjithë rrethin e ri të pushtetit. /Zoom.al




