Aplikacion
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen financiare për SPAK.
Delegacioni BE në Tiranë ka garantuar se fondet për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion do të vazhdojnë sepse ky organ ka bërë punë në luftën ndaj krimit e korrupsionit.
“BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë”, thuhet në reagimin e BE.
Sipas vendimit të firmosur në ditët e para të Trump si president, fondet do të jenë të ngrira për një periudhë 90-ditore për të vlerësuar përputhshmërinë e tyre me politikën e tij të jashtme. Ky urdhër prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera të botës që ndihmohen me fonde nga SHBA.