zoom

Ekonomi

Çfarë rrezikon Shqipëria nga ndalimi i miellit dhe grurit nga Serbia

Teksa efekti i luftës ka kapërcyer tanimë kufijtë Rusi-Ukrainë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dha një tjetër lajm të keq ditën e sotme: ai do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit, duke nisur nga e enjtja e 10 marsit (nesër).

Lajmi është përcjellë me shpejtësi në hapësirën mediatike shqiptare, shoqëruar me një pyetje shqetësuese: sa do të ndikojë ky vendim në jetën tonë?

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë 2021-shit u ble nga jashtë një sasi prej 272 mijë kuintalë drithëra, niveli më i lartë i gjashtë viteve të fundit.

77.5 përqind të importit të drithit, Shqipëria e realizon në Rusi e Serbi.

Gjatë vitit 2020, Shqipëria ka prodhuar rreth 684 mijë tonë drithëra, ndërkohë që ka importuar rreth 364 mijë tonë.

Pra, importi zë afërsisht rreth 35 përqind të kërkesës vendase të drithërave, çka do të thotë se një krizë e mundshme në arenën ndërkombëtare do të kishte ndikim të ndjeshëm edhe në tregun shqiptar.

Vitin e kaluar u vu re një rritje e konsiderueshme e çmimit të bukës si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve në import.

Vendi ku Shqipëria importon më shumë drithëra është Rusia, që zë rreth 41.2 përqind të totalit në vlerë, dhe rreth 45.5 përqind në peshë, nga 39.1 përqind në vlerë që zinte në 2020-tën, apo 43.2 përqind në peshë.

Vendin e dytë të importeve të Shqipërisë me drithëra ndjek Serbia, me rreth 36.2 përqind të totalit të importeve në peshë, Franca me 3.5 përqind, dhe Ukraina me rreth 2.93 përqind.

Pra, këto katër shtete zënë rreth 88 përqind të totalit të importeve të drithërave në Shqipëri, dhe me përjashtim të Francës, tre shtetet e tjera përbëjnë kërcënim për përmbushjen e kërkesës si pasojë e paqëndrueshmërisë që përfaqësojnë në arenën gjeopolitike.

A do të mungojë mielli në  shtëpitë tona?

Përpara se Serbia të merrte vendimin, eksportuesit e miellit tentuan të qetësojnë konsumatorët. Por tani tregu i vetëm ka mbetur Franca. Nëse edhe ajo e redukton eksportin drejt Shqipërisë, kriza është e pashmangshme. / Zoom.al