Aplikacion
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka deklaruar se mbështetja për Shtetet e Bashkuara në vendin e tij është rritur ndjeshëm gjatë presidencës së Donald Trump, duke e cilësuar këtë të fundit si liderin amerikan më të popullarizuar në Serbi në dekadat e fundit.
Në një intervistë për Fox News, Vuçiç tha se Trump gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme mes serbëve, duke pretenduar se gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2024 ai kishte mbështetjen e më shumë se 75% të qytetarëve serbë. Sipas presidentit serb, popullariteti i Trump lidhet me qasjen e tij pragmatike, mbështetjen për vlerat tradicionale dhe përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve ndërkombëtare.
Vuçiç argumentoi se për dekada me radhë Shtetet e Bashkuara janë perceptuar nga shumë serbë si një fuqi që ka ushtruar presion ndaj Serbisë, veçanërisht gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, por shtoi se Trump ka ndihmuar në ndryshimin e këtij perceptimi.
Presidenti serb i bëri gjithashtu një ftesë publike Trumpit për të vizituar Beogradin, duke deklaruar se ai do të pritej nga një turmë prej të paktën 100 mijë personash.
“Garantoj se do të ishte pritja më e madhe që ka marrë ndonjëherë në Europë një president amerikan”, tha Vuçiç.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Beogradi po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Uashingtonin, ndërsa Vuçiç ka shprehur gjithashtu interes për një rol më aktiv të administratës Trump në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.
Zoom.al/