zoom

Aktualitet

Sa vite burg rrezikon 15-vjeçari që vrau Martin Canin?

Akuza ndaj 15-vjeçarit që vrau me thikë Martin Canin u ashpërsua këtë të enjte nga Prokuroria e Tiranës nga “Vrasje me dashje” në “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Kjo vepër penale, sipas avokatëve, dënohet deri në 17 vite burg, në rastin kur autori është i mitur.

“Në momentin që një i mitur nga mosha 14 deri në 18 vjeç kryen krime, e para përjashtohet nga burgimi i përjetshëm dhe e dyta merr gjysmën e maksimumit të dënimit që është 17 vite burgim”, tha avokati Arbër Hoxha për Vizion Plus.

Ai shpjegoi se sipas Kodit Penal, autori i vrasjes, edhe pse i mitur, do të mbajë përgjegjësi penale.

“Kodi Penal sanksionon që mosha për përgjegjësinë penale është 16 vjeç për kundravajtjet penale dhe 14 vjeç për krimet. Është e rëndësishme që ditën që është kryer vepra penale, personi duhet të ketë mbushur 14 vjeç, pra 14 vjeç e një ditë. Në momentin që është nën 14 vjeç nuk mban përgjegjësi penale, por sipas drejtësisë penale për të miturit, pavarësisht se nuk mban përgjegjësi penale, do të çohet në një Institut të rehabilitimit”, tha avokati Hoxha.