Aplikacion
Këngëtarja Enca Haxhia u arrestua nga policia sepse në ballkonin e shtëpisë iu gjetën 5 vazo të mbjella me kanabis.
Enca deklaroi para grupit hetimor se është përdoruese e kanabisit dhe se sasia e mbjellë është për përdorim vetjak.
Por çfarë parashikon Kodi Penal për rastet kur lënda narkotike është për përdorim vetjak?
Në fakt, në nenin 283 nuk përcaktohet se cila sasi e drogës konsiderohet për përdorim vetjak.
“Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”, thuhet në nenin 283 të Kodit Penal.
Në këtë rast, janë gjykatat ato që, përmes një eksperti toksikologjik, përcaktojnë nëse sasia e gjetur e drogës është për konsum vetjak apo për shpërndarje.
Kriteret mbi të cilat bëhet ky përcaktim janë:
1) sasia e lëndës narkotike apo psikotrope;
2) mënyra dhe rrethanat e mbajtjes së saj;
3) çdo detaj tjetër, siç mund të jetë mënyra e ruajtjes dhe e mbajtjes, gjetja e mjeteve për mbajtjen, ndarjen, përzierjen, paketimin (peshore, qese farmaceutike, thika, letër alumini etj) apo përgatitjen;
4) frekuenca mesatare e përditshme e marrjes së lëndës narkotike.