zoom

Bota

Rumania e konfirmon: Droni që goditi pallatin ishte rus

Rumania e konfirmon: Droni që goditi pallatin ishte rus

Autoritetet rumune kanë konfirmuar zyrtarisht se droni që u përplas në një ndërtesë banimi në qytetin Galați më 29 maj ishte një mjet ajror rus i modelit Geran-2.

Sipas raportit përfundimtar teknik të ekspertëve rumunë, identifikimi i dronit është bërë pas analizimit të fragmenteve të mbetura në vendngjarje dhe komponentëve të tij elektronikë.

Mediat ndërkombëtare, duke iu referuar deklaratës së presidentit rumun Nicușor Dan, raportojnë se specialistët gjetën pjesë të dronit me mbishkrimin “ГЕРАН-2” në alfabetin cirilik, çka forcoi dyshimet për origjinën ruse të pajisjes.

Ekspertiza teknike tregoi se sistemet e navigimit, modulet e kontrollit, motori dhe pjesë të tjera të strukturës përputheshin pothuajse plotësisht me dronët Geran-2 të identifikuar më parë në sulme të tjera.

Hetuesit konstatuan gjithashtu ngjashmëri në materialet e përdorura për prodhim, shenjat industriale dhe karakteristikat e karburantit të përdorur nga droni.

Presidenti rumun e cilësoi ngjarjen si tepër serioze, duke theksuar se goditja e një objekti civil në territorin rumun përbën një akt të papranueshëm.

“Fakti që një dron i tillë goditi një ndërtesë banimi në Rumani, duke shkaktuar dëme materiale dhe të plagosur, është jashtëzakonisht serioz dhe përgjegjësia bie tërësisht mbi Rusinë”, deklaroi Nicușor Dan./ Zoom.al

Postime të lidhura