zoom

In Zoom

Rruga e Arbrit, një aks vdekjeje me miliona euro shpenzime

Tre jetë njerëzish mori një aksident i ndodhur mbrëmë në rrugën e Arbrit. Dy makina u përplasën një segment të drejtë të saj, që lidh fshatin Shupenzë me fshatin Maqëllarë.

Ky segment është hapur në vitin 2020. Por pak pas hapjes, kompania ndërtuese u detyrua ta mbyllë.

Në fillim të janarit 2021 ajo hodhi dy grumbuj të mëdhenj inertesh pranë rreth-rrotullimit në afërsi të Urës së Çerenecit dhe pranë rreth-rrotullimit në Maqellarë ku rruga e Arbrit bashkohet me atë të doganës së Bllatës.

Banorët e zonës u thanë në atë kohë mediave lokale se rruga ishte bërë burim aksidentesh, pasi makinat lëviznin me shpejtësi të lartë. Ata thanë se rruga nuk duhet të hapet deri sa të vendoset sinjalistika e nevojshme në të (shih videon më poshtë).

Vetë kompania ndërtuese deklaroi se rruga do të hapej vetëm me plotësimin e sinjalistikës dhe deri atëherë, të gjithë ata që lëvizin drejt Peshkopisë duhet të përdorin rrugën ekzistuese nga Maqellara – Ura e Topojanit – Shupenzë.

Kaluan vetëm pak javë dhe rruga u hap. Por sinjalistika nuk u vendos. Niveli i sigurisë nuk ndryshoi. Ky segment nuk ka asnjë element sigurie as sot. “Arsyeja se përse u hap lidhet me zgjedhjet e pjesshme vendore të zhvilluara në Dibër në mars 2021”, thanë disa banorë të zonës për Zoom.al.

Në korrik, një tjetër aksident, në zonën e Vanarit i rrezikoi jetën drejtuesit të një makine.

makina

Rruga e Arbrit – rrugë elektorale

Ditën e inagurimit, më 29 nëntor 2021, rruga e Arbrit u bllokua vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku prenë shiritin mes këngësh e vallesh të një trupe lokale që mbanin veshje tradicionale.

 

Dëbora e parë që ra në Qafën e Murrizit la për disa orë me radhë me qindra automjete në majë të malit. Makinat duhet të lëviznin nga një bypass, për shkak se rruga u hap pa përfunduar tuneli i Murrizit, vepra kryesore e saj.

Ekspertët thanë në atë kohë se rruga nuk duhej hapur, sepse ajo nuk ofronte siguri. Që në ditën e parë u regjistruan disa aksidente, (të raportuara me pamje filmike ekskluzivisht nga Zoom.al), por që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima.

Hapja e rrugës përkoi me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Miliona të dhëna – një gropë financiare

Rruga e Arbrit përllogaritet të jetë një ndër më të shtrenjtat në Shqipëri. Edhe pse një rrugë inter-urbane me vetëm dy korsi dhe gjatësi afro 50 kilometër, ajo ka marrë deri tani mbi 350 milionë euro, një kosto 50% më e shtrenjtë sesa varianti i propozuar në vitin 2015 nga kompania shtetërore kineze, China State Construction.

Vetëm tuneli i Murrizit arrin në 145 milionë euro. Ai është tuneli më i shtrenjtë i ndërtuar në Shqipëri, me 1 kilometër që kushton 38.1 milionë euro. E njëjta kompani “Gjoka Konstruksion” po ndërton edhe tunelin e Llogarasë. Por aty 1 kilometër kushton 23.3 milionë euro.

Tuneli i Kalimashit ka kushtuar 21 milionë euro për kilometër.

Rruga e Arbrit vijon të krijojë një gropë te madhe në buxhet. Në fund të vitit ARRSH miratoi 2 tendera me vlerë afro 20 milionë euro për skarpatat në shkallën e Tujanit dhe në planin e Bardhë.

Pavarësisht këtyre shpenzimeve, rruga nuk po mbyllet. Shumë segmente të saj kanë filluar të degradojnë. Tuneli duhet të ishte hapur në prill të vitit 2022.

Pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një by-pass-i 8.8 kilometra, është provizor. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, – deklaronte më 29 nëntor, gjatë ceremonisë së hapjes së rrugës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Afati është shtyrë për këtë verë. Por edhe ky afat nuk është përfundimtar. Qeveria e ka justifikuar vonesën me paqëndrueshmërinë e tunelit të Murrizit. Deri në gjetjen e zgjidhjes, rruga mund të marrë miliona të tjera. Ndërsa degradimi i segmentëve të saj rrezikon sërish të tjera njerëzish.  /Zoom.al