zoom

Ide & Blog

Rreziku i strategjisë opozitare

Thelbi i strategjisë opozi tare është rrëzimi i PS-së dhe Edi Ramës, duke i prezantuar ata si e keqja më e madhe në Shqipëri sot. Si Basha, Kryemadhi dhe Meta, ashtu edhe analistët pro rotacionit, theksojnë kleptokracinë dhe degradimin e qeverisjes Rama në autoritarizëm, për të bindur elektoratin që të votojë kundër qeverisë aktuale.

Në gjuhën e strategjive elektorale, kjo njihet si fushatë negative. Thelbi i strategjisë elektorale opozitare sot nuk është ofrimi i një alternative pozitive, aq sa theksimi i përmasave negative të qeverisjes Rama.

Natyrisht, si Meta, dhe Basha premtojnë një qeverisje ndryshe, ofrojnë programe qeverisëse, por ky nuk është dimensioni kryesor i fushatës së tyre. Kjo për faktin e thjeshtë se alternativa që ofrojnë në letër shoqërohet me të njëjtët politikanë të diskretituar në 30 vite tranzicion.

E thënë ndryshe, është vështirë t’i shesësh elektoratit fabulën që Basha, Berisha, Meta, Kryemadhi, Mediu dhe Duka janë alternativa e ndryshimit pozitiv. Është shumë më thjeshtë dhe më e besueshme për elektoratin të denoncosh degradimin e qeverisë Rama.

Ndaj nuk është çudi që edhe analistë si Fatos Lubonja që mbështesin rotacionin e qeverisjes, e kanë pranuar haptas se opozita nuk ofron ndonjë alternative shpresëdhënëse, është thjesht e keqja më e vogël.

Ndaj i ftojnë shqiptarët të votojnë kundër Ramës më shumë se sa pro Bashës apo Kryemadhit. Disa analistë, si Andi Bushati, kanë deklaruar se në Shqipëri gjithmonë votohet kundra më shumë sesa pro diçkaje, ndaj shpresojnë se shqiptarët do të votojnë kundër Ramës.

Problemi është se fushatat negative nuk janë efikase në mobilizimin e elektoratit, sidomos atij opozitar, për dy arsye. Së pari, një ligjërim që i thotë elektoratit se Rama është diktator (madje së fundmi e krahasuan edhe me diktatorin Pinocet, që në Kili vrau me mijëra intelektualë e studentë), se kontrollon gjithçka, se do vjedhë zgjedhjet, se ka mbështetjen e grupeve më të fuqishme kriminale, krijon mitin e Ramës mbinjeri.

Ky ligjërim bie ndesh me ftesën që i bëhet elektoratit për ta rrëzuar Ramën, sepse dekurajon votën e të pakënaqurve me qeverisjen. Nëse Rama do vjedhë zgjedhjet, është i gjithëpushtetshëm dhe ka mbështetjen e krimit, atëherë e ka të garantuar fitoren. Përse duhet të dalin të votojnë të pakënaqurit me qeverisjen e tij? Përballë një pushteti të hekurt socialist opozita shfaqet më shumë si viktimë, sesa si faktor ndryshimi.

Nëse Rama është kaq diktator i fortë dhe i rrezikshëm, si do ta rrëzojë Luli që është i sjellshëm dhe qytetar? Së dyti, negativiteti thjesht forcon pakënaqësinë ekzistuese me politikën dhe klasën politike në përgjithësi dhe demobilizon veçanërisht elektoratin gri që bën diferencën. Ndërkohë që elektorati i pushtetit ka interes konkret për të votuar dhe del në masë.

Ndaj një parti politike, sidomos në opozitë, përkrah denoncimit duhet të ofrojë edhe shpresën. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një opozitë si Partia Demokratike, elektorati besnik i së cilës historikisht ka qenë dhe mbetet më i vogël se ai i PS-së. Po të përjashtojmë zgjedhjet e vitit 1996, në 30 vite tranzicion PD-ja vetëm dy herë ka fituar më shumë vota se PS-ja, në vitin 1992 dhe 2005.

Në të dyja këto raste fushata opozitare e PD-së nuk ka qenë thjesht negative, por kryesisht pozitive. Natyrisht të gjitha fushatat elektorale i kombinojnë këto dy dimensione, por jo në të njëjtat përmasa. Në 1992 PD-ja ofronte një qeverisje europiane, moderne dhe demokratike dhe jo thjesht anti-komunizëm. Në 2005, PD-ja ofronte “qeverisje me duar të pastra” dhe fytyra të reja, jo thjesht anti-korrupsion.

Kjo do të thotë që fushata aktuale negative e Partisë Demokratike ka pak shanse që t’i japë shumicën e votës dhe shumicën e vendeve në Parlament Partisë Demokratike. Në fakt, të gjitha sondazhet, si majtas dhe djathtas, e tregojnë PD-në pas PS-së. Në këto kushte, shpresa e kryesore e opozitës dhe e shumë analistëve, është që PS-ja mos të arrijë të fitojë shumicën e vendeve në Parlament e vetme. Por, kjo është një shpresë problematike, sepse edhe nëse realizohet nuk garanton rrëzimin e Ramës. Edhe nëse Rama dhe PS-ja nuk fitojnë shumicën e deputetëve, probabiliteti që PSja të jetë forcë e parë dhe të krijojë qeveri me LSI-në është shumë më i lartë, sesa probabiliteti që diçka e tillë të ndodhë me PD-në.

Të paktën këtë tregojnë shumica dërrmuese e sondazheve: PS-ja mbetet forca më e madhe politike në Shqipëri. Këtu shumë opozitarë do hidhen përpjetë dhe do më thonë se Meta kurrë nuk bashkëqeveris me Ramën. Se janë duke u sharë e luftuar me sinqeritet. Madje, disa analistë kanë lavdëruar denoncimin e zellshëm që Meta po i bën oligarkisë së Ramës.

Por, të gjithë e dimë se Meta dhe Rama kanë qeverisur më parë, pasi janë sharë e përplasur publikisht dhe do bashkëqeverisin nesër nëse i duhet. Votat që LSI-ja merr sot kundër Ramës, nesër shumë lehtë mund të vihen në shërbim të tij. Dje, në vitin 2013, pazarin PS-LSI e quajtën “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Nesër mund të përdorin të njëjtin emër. Natyrisht, Rama dhe PS-ja mund të vendosin të bëjnë koalicion me PD-në në vend të LSI-së, për ta çuar në skrap këtë të fundit. Edhe këtu s’ka asnjë çudi. Një aleancë e tillë ka ndodhur mes socialdemokratëve dhe demokristianëve në Gjermani. Edhe për këtë pazar e kanë emrin gati “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Në çdo rast është shumë vështirë që opozita, politike dhe mediatike, ta rrëzojë Ramën duke argumentuar se PS-ja është e keqja më e madhe dhe PD-ja dhe LSI-ja janë e keqja më e vogël. Me shumë gjasa, strategjia aktuale opozitare ose do ta mbajë Ramën në pushtet vetëm, ose në aleancë me LSI-në, ose në një koalicion bashkëqeverisës me PD-në.