zoom

Sport

Rrëfehet Giroud, nga titulli te partneriteti me Zlatan: Duhet ta ruajmë këtë frymë

Sulmuesi i Milanit, Olivier Giroud, ka rrëfyer për “Eleven Sports”, aventurën e tij te kuqezinjtë dhe shanset për të fituar titullin kampion. Gjithashtu ai u ndal edhe te marrëdhënia me Zlatan Ibrahimovic.

TITULLI – “Falë faktit që jemi në vendin e parë të renditjes, brenda skuadrës ka një atmosferë shumë pozitive. Kur rezultatet janë pozitive, gjithçka është më e lehtë. Duhet ta ruajmë këtë frymë në çdo ndeshje për ta vazhduar në mënyrën më të mirë rrugën tonë”.

PËRSHTATJA TE MILAN – “Jam ndihmuar shumë për t’u përshtatur sa më mirë nga frankofonët. Më pas unë jam një person shumë social, kështu që gjithçka ka shkuar mirë, i mendojmë gjërat njësoj. Përshtatja ime është favorizuar nga e gjitha kjo”.

MOMENTET E VËSHTIRA – “Ka dy mënyra për të reaguar në momente të tilla: të të vijë keq për veten ose të kesh një reagim prej fituesi dhe t’i kalosh vështirësitë. Ky është mentaliteti im, këto gjëra përforcojnë karakterin”.

NDESHJET E MËDHA – “Një sulmues është gjithmonë në qendër të vëmendjes. Presin që ti të jesh vendimtar në çdo ndeshje. Ka patur një periudhë në të cilën nuk shënoja dhe merrja nota më pak pozitive në gazeta. Nuk është një gjë që e shikoj shumë, por janë gjëra që vijnë gjithsesi në veshët tanë. Është pjesë e lojës. Unë jam 35 vjeç, kam eksperiencën e duhur dhe e di se në këto momente duhet të rrish i përqendruar”.

ÇELËSI I SUKSESIT – “Gjëja thelbësore është të jesh vendimtar në momentet e rëndësishme për skuadrën. Ne bëjmë gjithmonë më të mirën tonë për të arritur objektivin tonë për t’u bërë kampionë”.

IBRAHIMOVIC – “Është i pabesueshëm. Karriera e tij, jetëgjatësia e tij, vendosmëria për të qëndruar në nivele të larta, dëshira për të bërë gjithmonë më shumë, është e jashtëzakonshme për një lojtar 40 vjeç. Pas 5 vitesh nuk e di nëse trupi im do të më lejojë të shënoj përsëri. Kështu që kam shumë respekt për Zlatan”.