Aplikacion
Emergjenca i lejoi autoritetet kontraktore që të kryenin tendera të kufizuar. Hapej thirrja, por ofertën financiare mund ta bënin vetëm kompanitë që përzgjidheshin nga Bashkia Tiranë dhe FSHZH. Këtu pastaj fituese doli një listë e vogël me firma të cilët kishin fituar kontrata të majme me këto institucione më parë, disa të lidhura edhe me deputetë të Partisë Socialiste. Ndarja e fituesit në ca raste bëhej me rotacion. Jepej e njëjta ofertë dhe njëherë e merrte njëri dhe herë tjetri, nuk kishte as ankimim sepse ishin të gjithë të kënaqur.
Sot 3 vjet e ca pasi ka nisur prokurimi emergjent i rindërtimit tenderat vazhdojnë të bëhen me procedurë të kufizuar, edhe pse njësitë që bëjnë këto procedura e dinë shumë mirë që procesi do të përfundojë pas 3-4 vjetësh.
Në projektin buxhetin e këtij viti Bashkia e Tiranës thotë se deri tani ka shpenzuar 120 milion euro dhe planifikon të shpenzojë për 3 vitet e tjera dhe 120 milion euro që rindërtimi në kryeqytet të mbarojë. Pra 6 vjet planifikim, por tenderat vazhdojnë të bëhen të kufizuar me justifikimin e “emergjencës”.
Bonuset e qirasë vazhdojnë të kushtojnë qindra mijë euro në buxhetin e shtetit, njerzit që kanë marrë të drejtën të rindërtojnë shtëpitë e dëmtuara vazhdojnë të presin në radhë edhe pas 3 vjetësh për lejen e ndërtimit, por këtu nuk ka asnjë emergjencë. Këtu pastaj duhet respektuar ligji sepse bonusin e qirasë e paguajnë taksat tona dhe te lejet e shtëpive të vogla nuk kanë ç’të ndajnë…