zoom

Kosova

Rikthehen tensionet në Veri të Kosovës, sulmohen KFOR-i dhe Policia. Kapet i dyshuari, iu gjetën…

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, një person me automjetin e tij ka bllokuar rrugën në një fshat të Leposaviçit, ku më pas i njëjti ka sulmuar me shishe automjetet zyrtare të PK-së dhe KFOR-it, gjatë patrullimit të përbashkët.

I dyshuari më pas ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshat, por pas kontrolleve policore është arrestuar.

“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit “Seat” ngjyrë hiri, ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare.

I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshat. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen”, tha policia.

Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe, raportoi “Paparaci”.

“Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, njofton policia. /ZOOM.AL/