Aplikacion
Nga Afrim Krasniqi
Retrospektivë, 1992. Në zgjedhje morën pjesë 24 parti fituan mandate (PS, PD, PSD, PR, PBDNJ), këto tre të fundit për shkak të marrëveshjes me PD. Ishte sistem miks, 100 zona mazhoritar dhe 40 proporcional. Zgjedhjet më të mira të tranzicionit. Jemi më 2025. Në zgjedhje janë regjistruar deri tani 53 parti politike. Në statistikë duket se kemi pluralizëm më konkurrues, zgjedhje më të shumta në fletën e votimit, garë dhe identitete/alternativa të ndryshme.
Në fakt, për shkak të sistemit më shumë se 100-105 mandate janë të emëruara pa filluar fushata, “gara” bëhet për pjesën e mbetur rreth 35-40 deputetë. Sipas të dhënave nga KQZ më shumë se 80% e partive të regjistruara nuk janë efektive, sipas monitorimit të ISP-së vetëm 3-5 prej tyre kanë kryesi, asamble dhe struktura të zgjedhura e funksionale. Të tjerat, parti – kryetar, individë që mbajnë vulë me vete siç thoshte I.K. Fiktiviteti i tyre mori energji më 2019 kur dorëzimi i mandateve i lejoi 13 prej tyre të bëhen deputetë, sepse ishin diku nga fundi i listave shumëemërore. Me votat e tyre u ndryshua Kushtetuta dhe u rrënua edhe më shumë integriteti i parlamentit.
Më 1990 PPSH ofroi pluralizmin e mendimit në Parti, si formë refuzimi ndaj pluralizmit politik konkurrues. Në mentalitet ne ende jemi tek pluralizmi i mendimit, jo tek pluralizmi funksional politik. Midis partive të sotme gjenden ende ca emra të fletës së votimit 1992, si dhe është e vështirë të gjenden modele pozitive demokracie, identitete politike, alternativa dhe sistem meritokracie.
Gjithsesi, edhe Alia e PPSH krijuan 7 subjekte fiktive (organizatat e masave) për të bërë zgjedhje fiktive më 10 shkurt 1991. U anuluan, për shkak të studentëve/pluralizmit, por nga 11 subjekte në zgjedhjet e marsit 1991, 5 ishin fiktive, ish leva të PPSH. Ne vijojmë të jemi aty afër.
Kështu nisi!

