Aplikacion
Oerd Bylykbashi, në fjalën e tij për gazetarët pas seancës parlamentare, u shpreh se duhet të kthehen koalicionet parazgjedhore, duke iu referuar bisedimeve mes palëve për Reformën Zgjedhore.
Deputeti i Partisë Demokratike, tha se palët politike “duhet të rikthehen tek marrëveshja e 5 qershorit” për reformën zgjedhore. Ai u shpreh se sistemi me listat e hapura ka mundësuar rrotacion politik.
“Zgjedhësi të ketë të drejtë të zgjedhë partinë brenda koalicionit që do të votojë. Sistem funksional deri në 2020. Koalicioni me listën e përbërë, me listë të hapur ka prodhuar mundësinë të dimë kush janë partitë dhe ka mundësuar rrotacion politik. Pjesë e saj është edhe garantimi që rezultati zgjedhor është i drejtë. Sot kemi PS që ka më shumë mandate seç i takojnë”, tha Bylykbashi.
Ai u shpreh se Koalicionet parazgjedhore dhe rikthimi tek praktika ligjore e viteve 2003-2008 kur në Kodin Zgjedhor ekzistonin të dyja format e koalicionit, ajo me listë të përbërë dhe të përbashkët është një prej propozimeve të demokratëve.
Deklarata e Bylykbashit:
“Të japim listën e hapur të partive politike. Zgjedhësi të ketë të drejtën të zgjidhë cilën parti të votojë. Të gjithë të marrin vesh në mënyrë transparentë sa vota ka marrë secila parti e koalicionit dhe mbi bazën e këtyre votave partitë marrin mandate. Detyrimi kushtetues tashmë përcakton që votimi me listën e hapur përcakton edhe se kush nga kandidatët e partisë së koalicionit merr mandatin. Por e para është rikthimi tek diçka që është absolutisht funksionale.
Koalicioni me listë të hapur ka prodhuar mundësinë që të marrim vesh jo vetëm kush janë partitë, por edhe të ketë rotacion politik. Sot kemi PS që ka të paktën 5 mandatë më shumë seç i takojnë me votën e saj, ndërkohë PL që i takonin 11 mandate ka vetëm 4 mandate. PSD me vetëm 30 mijë vota ka marrë 3 mandate. Kjo është e padrejtë është vjedhje dhe votë e pabarabartë. Sigurisht në kuadër të kësaj të trajtohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Prioriteti tjetër është rekomandimi i OSBE ODIHR”. /ZOOM.AL/