zoom

Aktualitet

“Ramën e ndëshkuan”/ Bushati analizon ShBA-të dhe BE për zgjedhjet e 11 Majit

“Ramën e ndëshkuan”/ Bushati analizon ShBA-të dhe BE për zgjedhjet e 11 Majit

 Analisti Andi Bushati deklaroi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi zgjedhjet vendore në Shqipëri përbën lajmin e vërtetë, ndërsa reagimet e Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian i konsideroi si vazhdimësi të qasjeve të mëparshme diplomatike.

Duke folur në emisionin MCN Live, Bushati theksoi se “zgjedhjet shqiptare u çliruan nga amerikanët”, duke nënvizuar se Uashingtoni ka ndryshuar dukshëm qëndrim ndaj kryeministrit Edi Rama krahasuar me katër vite më parë.

“Ramën e ndëshkuan, por nuk është se promovuan opozitën. Ky është lajmi,” – u shpreh Bushati, duke iu referuar deklaratës së Ambasadës Amerikane, e cila shmangu përmendjen direkte të Ramës, por përshëndeti qytetarët shqiptarë për procesin zgjedhor.

Analisti kritikoi interpretimet e kundërta të raportit të OSBE/ODIHR nga palët politike, duke i cilësuar si tendencioze:

“Berisha thotë farsë – unë s’jam dakord, sepse në dokument thuhej që zgjedhjet ishin konkurruese. Mazhoranca thotë që u certifikuan – edhe kjo s’është e saktë. Raporti fliste për përdorimin e administratës dhe intimidimin e votuesve. E vërteta është në mes,” – tha ai.

Sipas Bushatit, reagimet e BE-së dhe PE-së për zgjedhjet janë thuajse formale dhe nuk paraqesin ndonjë zhvillim të ri thelbësor:

“Nuk ka lajm në atë që thotë BE apo PE. Ata janë në vazhdën e asaj që jemi mësuar të dëgjojmë. Qëndrimi i SHBA-së është ndryshimi.”

Në fund, ai vuri në dukje edhe problemet brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar si paradoksale nevojën për të denoncuar zgjedhjet, ndërkohë që mungon transparenca brenda vetë forcës politike.

Postime të lidhura