Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke bërë të ditur se më 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE.
Përmes një postimi në Facebook, Rama deklaroi se konferenca do të “vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit” të vendit në Bashkimin Europian.
“Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, e cila në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se negociatat me Bashkimin Europian janë bllokuar.
“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua.
U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, deklaroi Rama.
Në postimin e tij, kryeministri shprehu gjithashtu mirënjohje për ekipin negociator, institucionet shqiptare dhe qytetarët që mbështesin procesin e integrimit europian.
“Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Rama.
Në fund, ai përsëriti objektivin e qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.