zoom

Politikë

Rama i jep përgjigje opozitës me Spiropalin: Nuk ka nevojë për komision bipartizan

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është drejtuar demokratëve të Rithemelimit duke ripërsëritur deklaratën e kryeministrit, se “nuk ka komisione bipartizane”.

Me një status në FB, Spiropali i thotë grupit Berisha-Bardhi se PS-ja nuk pret në dialog deputetët “që flasin nga ballkoni dhe bilbili”.

Postimi i Spiropalit:

Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është “instrument për t’u përballur me këtë qeveri dhe këtë kryeministër”, atëherë kush e mendon pa teklif kështu ka dy rrugë:

Ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” – e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore – ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit brirë më brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve të pranuara nga palët e përfshira në komision.

Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta.

Ndërsa përballjen me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, opozitat e disata që kemi në parlamentin e sotëm të karrigeve përmbys, flakadanëve tymhava apo gjumashëve kokëvarur, do ta kenë në qershorin e vitit të ardhshëm. Jo në komisionin e reformës zgjedhore. E patjetër që do të kenë mundësinë ta realizojnë dhe ta shijojnë deri në fund, siç e kanë realizuar dhe shijuar në 8 përballjet e fundit zgjedhore që nga viti 2013.