zoom

Lajme

Rama: Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, e kam refuzuar

Rama: Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, e kam refuzuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, por ai i ka refuzuar në të gjitha rastet.

Sipas Ramës, dorëheqja është dorëzuar fillimisht në momentin kur ndaj Ballukut u ngrit akuza, herën e dytë pas pezullimit të parë nga detyra dhe për herë të tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim përfundimtar për çështjen.

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, e dyta kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi GJK nuk mori vendim dhe të tre herët jam unë që kam refuzuar dorëheqjen”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë argumentoi se nuk mund të pranojë një dorëheqje të dhënë nën presion, duke theksuar se kufijtë mes pushteteve duhet të respektohen. Ai shtoi se kushtet për një vendim të tillë nuk mund të përcaktohen nga prokurori, gjykata e seancës paraprake, media apo “gjyqi popullor”.

Rama deklaroi se pranimi i një dorëheqjeje në këto rrethana do të rrezikonte balancën mes pushteteve dhe do të dëmtonte kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë transformuese të sistemit të drejtësisë dhe se, krahas forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, është e domosdoshme të ruhet ekuilibri institucional.

Postime të lidhura