zoom

Aktualitet

Rakip Suli përsëri për “kafe” në SPAK? Kryebashkiaku: Erdha për të dorëzuar dokumentet!

Rakip Suli përsëri për “kafe” në SPAK? Kryebashkiaku: Erdha për të dorëzuar dokumentet!

Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, është paraqitur përsëri ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme.

Ai u denoncua nga KLSH, qytetarët e Kamzës dhe opozita, për çështje të ndryshme menaxhimi institucional, si fondet e rindërtimit për tërmetin, tenderët dhe procedura e zhvillimit të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak.

“Erdha për të dorëzuar dokumentet”, tha ai për gazetarët, teksa hyri në SPAK. Rakip Suli është nën hetim për abuzim me fondet për tërmetin.

Dy ditë më parë ai u shpreh pasi doli nga zyrat e organit të akuzës, ku u mor në pyetje për një orë, se “shyqyr që erdhi kjo ditë” dhe “ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj”.

Prokuroria po kryen hetimet ndaj Suli dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorimi i detyrës”, “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Në kuadër të kësaj çështje, pasi SPAK ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura nga zyrtarët ka thirrur edhe Suli të japë shpjegime. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura