zoom

Aktualitet

Raiffeisen Bank kërkon heqjen e sekuestros për pronat e Lefter Kokës: Janë të bankës. GJKKO refuzon

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzoi një kërkesë të Raiffeisen Bank për të qenë pjesë e procesit kundër ish -ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në gjykimin e dosjes për inceneratorin e Fierit.

Raiffeisen Bank pretendon se SPAK dhe GJKKO kanë sekuestruar disa prona të Lefter Kokës, të cilat tani i përkasin asaj, pasi janë lënë kolateral nga ish -Ministri.

Këto prona, Koka i ka lënë si garanci në bankë për të marrë një kredi që nuk ka lidhje me inceneratorin.

I arrestuar për korrupsion me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, Koka nuk ka mundur të paguajë këstet në bankë dhe Raiffeisen kërkon që ajo t’i marrë pronat, pasi pretendon se janë të sajat.

Por kërkesa e Raiffeisen Bank u hodh poshtë nga GJKKO, që argumentoi se lënia e pronave kolateral për kredi është një çështje mes Lefter Kokës dhe Bankës. Ky konflikt, sipas Gjykatës së Posaçme, nuk mund të zgjidhet prej saj.

Raiffeisen Bank është përfshirë në çështjen e inceneratorëve edhe në forma të tjera.
Ndonëse kompanitë e Klodian Zotos, Klodian Mërtirit dhe Stella Gugalles ishin nën hetim për korrupsion dhe ndonëse inceneratorët po ndërtoheshin me paratë e shtetit, ata kanë mundur të marrin kredi në disa banka të nivelit të dytë, përfshirë edhe Raiffeisen Bank.

Raiffeisen Bank u dha kredi bosëve të inceneratorëve që janë në kërkim? Banka hesht: Është sekret!

Në mars të këtij viti Zoom.al iu drejtua me një kërkesë me shkrim Raiffeisen Bank për të hedhur dritë mbi shumat që kishin marrë si kredi kompanitë “Integrated Technology Service”, “Integratet Technology Ëaste Treatement Fier” dhe “Albtek Energy”.

Raiffeisen Bank refuzoi të jepte detaje, duke thënë se ky ishte një sekret bankar.

Në janar të këtij viti, një tjetër bankë e nivelit të dytë bllokoi llogaritë e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit. Llogaritë e “Integratet Technology Ëaste Treatement Fier” u bllokuan për shkak të një overdrafti, ndërsa kontrata e inceneratorit të Elbasanit ishte lënë peng nga “Albtek Energy” për 4.7 milionë dollarë. /Zoom.al