zoom

Aktualitet

“Radoiçiç i siguroi armët në Bosnje”- Prokuroria serbe: Përmes Beogradit, i kaloi në Kosovë

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiç, i cili, ditë më parë, pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftim thuhet se ai u mor në pyetje nën dyshimet se bashkë me disa persona kanë kryer vepra penale të “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiç dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit, më së shumtu në Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiç u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiç, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krim të organizuar ndërkombëtar, mori pergjegjesine për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin. /REL