zoom

Aktualitet

Dokumenti ekskluziv/ Ujësjellësi në Tragjas, analiza: Mjaftueshëm burime për 24 orë ujë. Nuk dëmton mjedisin

Dokumenti ekskluziv/ Ujësjellësi në Tragjas, analiza: Mjaftueshëm burime për 24 orë ujë. Nuk dëmton mjedisin

Zoom.al ka siguruar dokumentin e plotë të projektit të ujësjellësit të Tragjasit, ku përfshihet edhe studimi i realizuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar.

Sipas dokumentit, që është një praktikë e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, prurja maksimale e burimit, sipas vlerësimeve të ekspertëve është 3300 litra/sekondë, ndërsa prurja minimale gjatë periudhës më të thatë të vitit është matur të jetë 700 litra/sekondë.

Ndërkohë, nga matjet e realizuara në burim, vihet re nga burimi i ujit nga viti 2018 në vitin 2022 eshtë rritur, nga 740 litra në sekondë në vitin 2018, në 870 litra në sekondë në vitin 2022. Kjo dëshmon se burimi i ujit ka ardhur në rritje dhe jo në rënie, siç u është thënë deri tani banorëve të fshatit, në tentativë për t’i keqinformuar.

Ekspertët gjithashtu vlerësojnë se prurjet e burimit janë të mjaftueshme për të mbuluar fshatin Tragjas nga 2 në 24 orë, nevojat për vaditje të të gjithë zonës, si edhe për të mbuluar po ashtu nevojat e industrisë së turizmit në këtë krahinë.
Projekti parashikon të marrë 290 litra/sekondë nga ky burim për furnizimin e zonave bregdetare, ndërkohë që aktualisht nga burimi përfitojnë fshatrat Tragjas dhe Radhimë me një total prej 430 litra/sekondë. Sipas AKUK, edhe pas shfrytëzimit të ujit për projektin, mbeten 270 litra/sekondë, të cilat janë të mjaftueshme për të ruajtur ekuilibrin ekologjik dhe për nevojat e banorëve.

“Theksojmë se diferenca e prurjes minimale prej 700 – 430 = 270 litra/sekondë është e mjaftueshme për të ruajtur mjedisin përreth si prurje ekologjike, por gjithashtu edhe për t’u përdorur për vaditjen e tokave bujqësore të fshatit Tragjas,” vënë në dukje ekspertët.

Dokumenti zyrtar është gjithashtu shumë i qartë edhe përsa i përket qëndrimit të Oponencës Teknike të realizuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, i cili rekomandon: “Në rast se prurja mund të ulet, përparësi duhet t’i jepet kaplazhit që përdoret aktualisht për furnizimin me ujë të fshatit Tragjasë dhe Rradhimë që furnizohen duke shfrytëzuar burimin e Izvorit.”

Në këtë mënyrë, Projekti i ujësjellësit jo vetëm që parashikon prurjet dhe sasitë që do të përdoren, por edhe paracakton prioritet në rastet e situatave emergjente, në rast se prurjet e burimit do të ulen në të ardhmen.

Për projektin e ujësjellësit ka reaguar së fundmi edhe Kryeministri Rama, i cili theksoi se banorët e Tragjasit janë keqinformuar, pasi nga ndërtimi i ujësjellësit dhe rrjetit të ujërave të zezë do të përfitojë i gjithë fshati, por edhe zonat bregdetare përreth.

Publikimi i këtij dokumenti jep më shumë informacion për banorët e Tragjasit, të cilët ditët e fundit janë ngritur në protesta për ujësjellësin. Gjithashtu, ai shërben për të hedhur dritë mbi projektit, duke lënë më pak hapësira për “organizatorët” e protestave të sajuara “në mbrojtje të ujit”.

Postime të lidhura