zoom

Aktualitet

Ra në koma pasi bëri aksident me motor, vdes djali i biznesmenit të njohur shqiptar

Amarildo Pajtoni, djali i sipërmarrësit Mentor Pajton, ka ndërruar jetë dy javë pasi u përfshi në një aksident tragjik me motor.

27-vjeçari, njëkohësisht nipi i sipërmarrësit Armando Pajtoni, ishte shtruar tek Trauma ku ndodhej në gjendje kome.

Por i riu, i njohur edhe si Ildi, nuk ka mundur të mbijetojë duke humbur jetë tragjikisht.

Mësohet se Ildi Pajtoni u përfshi në një aksident me motor në fshatin Harizaj, ku u përplas me një furgon me targa të Kosovës.

Lajmi i rëndë u dha nga vëllai i viktimës, Redi Pajtoni, i cili në një postim shkruan: “Ah zemra e vëllait pse më le vetëm”.

Gjithashtu në rrjetet sociale kanë reaguar edhe miqtë e Ildi Pajtonit për ikjen e tij të parakohshme nga jeta.

27-vjeçari, i cili punonte si administrator i kompanive të familjes, por dhe si drejtues i bizneseve të vogla që kishte hapur vetë, mbylli sytë përgjithmonë më 15 korrik.

Familja Pajtoni është ndër më të njohurat në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak të angazhimit të hershëm në biznesit e mermerit dhe aktivitetin tregtar të Qendrës Tregtare “Pajtoni”, që ndodhet në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës.