zoom

Ekonomi

Qeveria shqiptare vendos 1 miliardë lekë në dispozicion të fermerëve

Qeveria shqiptare ka krijuar një fond garancie sovrane për fermerët dhe të gjithë ata që duan të zhvillojnë një aktivitet bujqësor. Sipas Ministres së Bujqësisë Frida Krifca, vështirësitë që has bujqësia me fatkeqësitë natyrore, nevoja per formalizimin e këtij sektori kanë shtyr qeverinë shqiptare të akordojë një fond prej 1 miliardë lekësh për të rritur kreditimin nga bankat për fermerët shqiptarë duke ulur rreziqet me 50%.

“Qeveria shqiptare ka vendosur të krijojë një fond garancie sovrane. Nga ky fond 1 miliardë lekë janë dedikuar vetëm bujqësisë.

Ne e japim këtë garanci në bankat tregtare, në kreditimin e investimeve duke ulur riskun e tyre në nivelin 50% të kolateralit, me shpresën se ju do mund të zbusni edhe nivelin e interesit për fermerët shqiptarë dhe për agropërpunuesit.

Kështu synojmë të rrisim kredidhënie në sektorë dhe të çlirojmë potenciale, pasi pa financim ju e dini nuk ka zhvillim.

Qeveria shqiptare ofron edhe një garanci të re për këdo që do të zhvillojë një aktivitet bujqësor. Fondi prej 1 miliardë lekë i drejtohet fermerëve dhe agropërpunuesve, të cilët janë duke planifikuar një investim për prodhimin e produkteve bujqësore apo të lidhura me ekonominë blu. Në ndërtimin e një sere të re a po të sistemeve të lidhura me të, në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së paketimit të prodhimeve tona, në sistemin e ujitjes me pika, në përpunimin e produkteve dhe konsolidimit në tregje”, tha ministrja e Bujqësisë Frida Krifca gjatë takimit me sektorin bankar në vend.