zoom

Aktualitet

Publikohet foto e Saimir Tahirit me Klement Balilin dhe Safet Bajrin në qeli

Një foto e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit nga qelia e burgut po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Tahiri është i ulur në një tavolinë duke ngrënë, i shoqëruar nga dy kontigjentët më të përfolur kriminalë në vend, Klement Balilin dhe Safet Bajrin.

Foto rezulton se është bërë në burgun e Kosovës, në Lushnje. Ajo është publikuar nga gazetari Flamur Vezaj.

Pas lirimit të Saimir Tahirit nga burgu, avokati i tij, Maks Haxhia tregoi se një person me precedent të theksuar kriminal, në momentin kur kishte dalë nga burgu, i kishte shprehur keqardhje Saimir Tahirit që vuante ende dënimin.

“Më vjen turp që dal unë nga burgu dhe rrini ju“, ishin fjalët, sipas avokatit Maks Haxhia, me të cilat ai i ishte drejtuar Saimir Tahirit. Më pas u mësua se bëhej fjalë për Safet Bajrin, person i lakuar në trafik droge, me të cilin thuhet se ish-ministri ka ndarë qelinë.

Kush është Safet Bajri dhe Klement Balili?

Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës, u lirua nga burgu marsin e këtij viti, kur gjykata e Fierit, pranoi kërkesën e Bajrit për lirimin e tij me kusht.

Sipas vendimit të gjykatës, Bajri ka vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit në burg dhe gjatë kohës së izolimit nuk ka pasur masa disiplinore nga drejtoria e burgjeve.

Bajri u dënua me 9 vite burgim nga drejtësia belge, për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Organizatës kriminale”, “Vjedhje në rrethana rënduese”. Por kjo masë dënimi u vuajt nga Ilir alias Safet Bajri në burgjet Shqiptare, pasi gjykata e Shkodrës vendosi të njohë dënimin e drejtësisë Belge dhe më pas ta lerë në fuqi atë. Mediat në Belgjikë e kanë konsideruar 34-vjeçarin Safet Bajri (Rustemi), si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.

Safet Bajri u ndalua nga RENEA në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oaz”, të zhvilluar nga prokuroria e Shkodrës dhe policia. Fillimisht, për këtë çështje u ngritën një sërë akuzash, që megjithatë ranë përgjatë procesit gjyqësor. Kështu 9 personat e arrestuar në kuadër të aksioni policor “Oaz”, u dënuar kryesisht për veprat penale “Organizim të llotarive të palejuara në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Më 2020, Bajri u dënua nga Bajri Gjykata e Shkodrës me 2 vite e 6 muaj burgim për “Paracaktim të rezultateve në garat sportive” dhe “armë mbajtje pa leje” dhe “Organizimi të llotarive sportive në bashkëpunim”.

Klement Balili i etiketuar ndryshe edhe si “Eskobari i Ballkanit” po vuan një dënim 10 vjeccar në burg.

Ai është në qeli nën akuzat për trafik droge, për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal dhe dënimin.
Prokuroria kërkoi për të 18 vite, gjykata vendosi 15 vite, por duke qenë se u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, u ul 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 10 vite burg.

Emri i Balilit ishte i njohur për autoritetet greke dhe DEA-n amerikane. Në maj të 2016 ai u shpall në kërkim nga autoritetet greke për një sasi të madhe kokaine. Dosja e tij në Shqipëri do të përkthehej nga Ministria e Drejtësisë vetëm në tetor të atij viti pas presionit të fortë të përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiran.  DEA, kishte hartuar një dosje voluminoze prej 10 mijë faqesh ndaj Klemend Balilit.

Ish-kreu i Transporteve të Sarandës akuzohet gjithashtu për refuzim të deklarimit, deklarim i rremë dhe fshehje e pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë. Dyshohet se gjatë periudhës që ka qenë në këtë post, Klemend Balili ka fshehur të ardhurat e siguruara nga trafiku i drogës në drejtim të Greqisë. /Zoom.al