zoom

Blog

Pse rikthimi i Donald Trump në krye të SHBA-së është një mundësi reale

“Mos harroni, mbajeni mend 5 nëntorin! Barut, tradhti dhe komplot!”. Ky është refreni tradicional që kanë recituar fëmijët britanikë (si unë) nëntorët e viteve të kaluar, në përkujtim të Guy Fawkes, rebelit që u përpoq të hidhte në erë parlamentin britanik në vitin 1605.

Megjithatë, sot këto fjalë i referohen një ngjarje shumë më të afërt. Më 5 nëntor 2024, SHBA-ja do të mbajë zgjedhjet e saj të ardhshme presidenciale. Dhe teksa ka nisur numërimi mbrapsht, duhen kuptuar mirë 2 elementë kryesorë.

Së pari, me gjithë ngjarjet dramatike që shoqëruan administratën e ish-presidentit Donald Trump, dhe tentativës së tij për kryengritje më 6 janar 2021 pasi i humbi zgjedhjet e fundit, do të ishte marrëzi të reduktonim mundësinë e rikthimit të tij në krye të Amerikës.

Aktualisht, sondazhe në vend sugjerojnë se Trump është në të njëjtin nivel me Joe Biden, sa i përket mbështetjes së votuesve. Madje, ai e lë pas presidentin Biden në gati të gjitha shtetet që janë tradicionalist përcaktuese të fituesit të garës.

Kjo e fundit ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh edhe natyrën e garave presidenciale. Lajmi i mirë (për njerëzit si unë, që nuk e mbështesin Trump) është se historia elektorale e SHBA-së tregon se sondazhet e hershme mund të jenë ndonjëherë të gabuara.

Edhe ish-presidentët e dikurshëm demokratë si Barack Obama dhe Jimmy Carter ishin konsideruar si humbës derisa u zhvillua votimi dhe që të dy treguan se sondazhet ishin të pasakta. Për më tepër Trump përballet me pengesa të mëdha.

Ai është i përfshirë në një mori procesesh që po zhvillohen ndaj tij që mund ta fusin atë në burg. Donatorët kryesorë të Wall Street-it po grupohen rreth Nikki Haley, rivales së tij brenda Partisë Republikane, në një kohë që demokratë me ndikim si David Axelrod, kanë sugjeruar zëvendësimin e Joe Biden me një kandidat më të ri për të tërhequr më shumë mbështetje nga votuesit.

Ndaj deri 5 nëntorin e vitit të ardhshëm mund të ndryshojnë shumë gjëra. Por lajmi i keq është se tanimë është e qartë se Donald Trump po dominon aktualisht garën e primareve brenda republikanëve dhe po e ruan energjinë e tij retorike populiste.

Vetëm gjatë javës së kaluar, kam marrë jo më pak se 67 e-maile nga fushata “Donald J.Trump për President”, me tema të tilla si “Njerëzit kundër tiranisë”, “U pushua një tjetër proces gjyqësor ndaj tij!”, “Shtrembaluqi Joe urren ta shohë këtë” dhe “Fitore mbi Soros!”.

Ky fluks mesazhesh mund të tmerrojë shumë njerëz, sepse mbi të gjitha disa prej tyre kanë tone fashiste. Por unë dyshoj se ky është ndonjë problem për ata votues amerikanë që e urrejnë elitën dhe që mezi e mbyllin muajin. Po aq alarmues është një sondazh i fundit i FT që thotë se vetëm 14 për qind e votuesve mendojnë se Biden e ka përmirësuar jetën e tyre.

Pika e dytë kyçe që duhet mbajtur parasysh, është se nëse Trump do të jetë kandidati republikan në zgjedhjet e vitit 2024, ai do të jetë shumë më i organizuar se më parë. Kjo mund të mos duket e qartë për shikuesit. Siç e thekson gazetari Jonathan Karl në librin e tij “I lodhur nga fitoret”, lançimi i fushatës së tij të vitit 2024 nuk pati ndonjë ndikim të rëndësishëm.

Edhe fushata e Trump në vitin 2016 ishte kaotike. Unë e mbaj mend shumë mirë: përgjatë festës natën e zgjedhjeve në Manhatan, bashkëpunëtorët e tij dukeshin aq të shtangur nga rezultati i papritur, saqë shumë njerëzit hynin pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë.

Kur më vonë e takova Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, ekipi i tij ishte akoma aq i papërgatitur sa nuk dinin as se si ta përdornin sistemin e rezervimit të takimeve për vizitorët. Por kësaj herë është ndryshe. Në vitin 2017, ekipi i Trump ishte aq i përgatitur saqë bëri pjesë të kabinetin figura të establishmentit si Gary Cohn, Rex Tillerson dhe HR McMaster.

Shumica e tyre nuk ka gjasa që të rikthehen më në detyrë. (Një përjashtim që bie në sy, sikurse më është thënë, është Steven Mnuchin, ish-sekretar i Thesarit. Nëse kjo ndodh, ky do të ishte një ngushëllim i vogël për investitorët, duke pasur parasysh se më parë Trump i kishte deleguar pjesën më të madhe të politikëbërjes ekonomike dhe financiare Mnuchin, dhe ai shihej si njeriu i besuar nga Wall Street).

Por nëse do të fitonte një mandat të dytë, Trump me siguri që nuk do t’i drejtohej më figurave qëndrore për të ndërtuar kabinetin e tij. Në kontrast të plotë me vitin 2016, besnikët e tij tashmë po përgatiten për këtë.

Më e rëndësishmja, dy institute kërkimore me bazë në Uashington, Heritage Foundation dhe America First Policy Institute, po garojnë midis tyre për të zhvilluar ekipe dhe politikat e  tranzicionit. Heritage ka publikuar tashmë në faqen e saj një plan prej 900 faqesh me titullin “Project 2025”.

Këto dy grupime po konkurrojnë dhe bashkëpunojnë midis tyre, dhe ndonjëherë e bëjnë këtë në mënyra kaotike. Por ndikimi i tyre mund të shihet në faqen e internetit Agenda47 e Donald Trump, e cila përmban premtime të politikave të tij në të ardhmen si planet për të dëbuar emigrantët, krijimin e qyteteve me tenda për të pastrehët, rikthimin e industrisë farmaceutike në Amerikë, dëbimin nga administrata të burokratëve anti-Trump, vendosjen e më shumë tarifave tregtare, uljen e çmimeve të energjisë e kështu me radhë.

Ndërkohë ekipet e AFPI dhe Heritage po hartojnë lista të stafit të mundshëm, bazuar jo vetëm tek aftësitë, por edhe simpatitë ideologjike (pra nëse ata janë besnikë ndaj Trump në mediat sociale). Sipas Axios, synimi është të vendoset në të gjithë qeverinë një “ushtri që është verifikuar paraprakisht se është pro Trump me deri në 54.000 besnikë”.

Ndërkohë, zyrtarët po përgatisin mjetet ligjore për të ndryshuar Aktin e Reduktimit të Inflacionit të Joe Biden dhe për të dëbuar nga detyra burokratët që nuk i pëlqejnë (nëpërmjet të ashtuquajturit procesi i Programit F), vetëm sa për të përmendur disa mekanizma të mundshëm.

Kjo mund të rezultojë të jetë një humbje kohe për ta. Por thelbi është ky: pavarësisht nëse e urreni apo e doni Trump, mos e nënvlerësoni atë. Ai mund të fitojë vërtet vitin e ardhshëm. Deri atëherë, kushdo që vëzhgon, jeton ose investon në SHBA, duhet të klikojë vazhdimisht mbi këtë faqe interneti ‘Agenda47’. Sidomos nëse ju lë të tmerruar apo të frikësuar për variantet e reja të “tradhtisë dhe komplotit”.