zoom

Ekonomi

Pse nuk çohen shqiptarët? Çmimi i naftës, çmenduri/ Kosova në protestë, Shqipëria duarkryq

Kur nafta arriti çmimin e 270 lekëve për litër, në ditët e para të muajit mars, protestat qytetare pushtuan vendin, si formë revolte dhe kundërshtie për shtrenjtimin e saj, duke kërkuar uljen. Bashkë me qytetarët u bashkuan edhe politikanët, opozitarët, aktivistët, këngëtarët e aktorët. Çmimi i naftës nisi të ulej, u krijua një Bord Transparence dhe qytetarët “u bindën” se protestat dhanë efekt. Kështu, protestat ndaluan.

Bordi, drejtuar nga Ministria e Financave, fillimisht, në mbledhje të përditshme, nisi të vendosë çmime në rënie për naftën, duke e fiksuar për më shumë se një javë në rreth 220 lekë.

Fundi i muajit maj risolli edhe njëherë rritjen e çmimeve të hidrokarbureve, por këtë herë me vendim qeverie. Vendimi i fundit i Bordit të Transparencës e fiksoi çmimin e një litri nafte për shitje në 258 lekë litri. Qytetarë apo aktivistë, u rikthyen dhe njëherë në media sociale për të thirrur një tjetër protestë, por zëri po vonon të shkojë nga fundi i sallës.

Zëri po vonon të shkojë edhe te opozitarët, që më shumë se kurrë kanë tani arsye të reagojnë. Nëse herën e parë rritja e çmimit të naftës u luhat nga kriza gjeopolitike apo agresiviteti i kompanive në botë dhe në vend, këtë herë u luhat me vendim qeverie.

Sipas rendit të fjalës në Kuvend, apo edhe në rrjetet e tyre sociale, mund të përmendin se si po dëmtohen konsumatorët, apo se sa padrejtësisht po vepron Bordi i Transparencës, por ajo ka ngelur vetëm në diskursin e një debati brenda sallës, apo forumit që krijohet në seksionin e komenteve në FB.

Në rastin e Kosovës, ku nuk është ngritur një Bord, por janë vendosur marzhe fitimi deri në 6% nga çmimi i shitjes, për tregtarët me pakicë, sensibilizimi kundrejt rritjes së pandershme të çmimit të naftës, është shumë më i madh.

Deputetë dhe njerëz të politikës apo biznesit në Kosovë, kanë kritikuar qeverinë atje, por kanë ofruar edhe zgjidhje se si të menaxhohet situata e rritjes së çmimit të naftës atje.

Operatorë të Transportit, naftëtarë, kanë qenë po ashtu në protesta aktive kundër rritjes së çmimit të naftës.

Duke mos shkuar përtej rajonit, në Greqi dhe Qipro, qytetarët e kanë shumë të vështirë të pranojnë efektet e luftës në lindje të Europës. Ata kanë dalë në protesta masive dhe agresive kundër krizës së çmimeve. Të dyja qeveritë kanë marrë masa dhe po përgatisin paketa ndihme për qytetarët në këtë periudhë të vështirë.

Polonia u përball me grupe huligane motoristësh që bllokuan pikat e karburanteve nëpër qytete si reagim kundër rritjes së çmimeve. Në të njëjtën javë, presidenti polak firmosi aktin e “mbrojtjes ndaj inflacionit”, ku synohet mbrojtja dhe ndihma ndaj familjarëve atje.

Në fakt, edhe Shqipëria miratoi Paketën e Emergjencës Civile në mars të vitit 2022, atëherë kur ishin shfaqur vetëm efektet e para të luftës dhe krizës botërore në konsum. Paketa praj 5 mld dollarësh, apo sa vetëm 0.3% e PBB-së së vendit është më e ulëta në rajon. Ndonëse, nafta shitet shumë herë më shtrenjtë.

Reagimi qytetar në vend, duket të jetë kushtëzuar dhe nga mbulimi i pakët mediatik në Shqipëri. Përveç, njoftimeve të Bordit, që tani duken të njëjta me ato të shifrave të Covid-19, ekspertët e fushës, të ftuar në intervista, nuk thonë asgjë më shumë se sa lufta shkaku dhe heqja e taksave në naftë, zgjidhja. Askush nuk përmend kartelin e kompanive të naftës dhe se si të ndihmohen qytetarët, ata që po vonojnë të protestojnë!/Zoom.al