Aplikacion
Në Durrës, familjarë dhe të afërm të 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pas një konflikti mes bashkëmoshatarësh, u mblodhën sot në një protestë përpara institucioneve, duke kërkuar hetim të plotë dhe drejtësi.
Pjesëmarrësit shprehën shqetësim për sigurinë në shkolla dhe mungesën e reagimit shoqëror. Halla e të miturit tha se kjo nuk ishte vetëm një protestë familjare, por një thirrje për ndërgjegjësim dhe për marrjen e masave që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Një tjetër protestues nënvizoi nevojën për më shumë edukim dhe mbështetje për të rinjtë, që mjedisi shkollor të jetë i sigurt.
“Mbështes drejtësinë për Erjonin. Fatkeqësi e rëndë, mjerë kush e përjeton. Po jetojmë në një shoqëri depresive e indiferente, ku askush nuk reagon. Nuk po rritet një brez edukativ, por agresiv, sepse nxënësit nuk shkojnë në shkollë me çanta me libra, por me thika dhe municione”, u shpreh ai.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor pas një konflikti të nisur më parë në rrjetet sociale, ndërda 15-vjeçari humbi jetën pas disa ditësh në spital për shkak të plagëve të rënda në zonën e gjoksit. Për rastin është arrestuar një bashkëmoshatar i tij dhe çështja po vazhdon në gjykatë./ Zoom.al