zoom

Lajme

Protestë masive e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kërkojnë të drejtën për gjuhën shqipe

Protestë masive e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kërkojnë të drejtën për gjuhën shqipe

Një protestë e organizuar nga studentët shqiptarë ka mbledhur dhjetëra të rinj në Shkup, ku ata kanë dalë në rrugë për të kërkuar respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor.

Të rinjtë, që vijnë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti Nënë Tereza dhe Universiteti i Evropës Juglindore, nisën marshimin nga Ura e Gurit, duke paralajmëruar se protesta do të vijojë deri para Ministrisë së Drejtësisë.

Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, studentët shprehën pakënaqësinë e tyre për atë që e cilësojnë si diskriminim institucional. Ata kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet në gjuhën shqipe, një e drejtë që sipas tyre është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë.

Mesazhet në pankarta ishin: “Ligji për gjuhët është i qartë”, “Stop diskriminimit institucional” dhe “Respektoni Kushtetutën”. Protestuesit theksuan se nuk po kërkojnë privilegje, por zbatim të të drejtave ekzistuese.

Kjo lëvizje vjen pas një peticioni të firmosur nga rreth 385 studentë shqiptarë, të cilët kanë kërkuar zyrtarisht që provimet të zhvillohen edhe në shqip.

Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut që të mbështesin protestën e tyre paqësore, duke theksuar rëndësinë e barazisë dhe respektimit të të drejtave gjuhësore./ Zoom.al

Postime të lidhura